Konkursi për studentët në UP më 7 korrik

Mbi 10 mijë maturantët, që kaluan testin e sivjetshëm të maturës shtetërore, më 15 qershor, nga 27 mijë, si dhe ata që viteve të kaluara nuk kishin mundur të regjistrohen në Universitetin e Prishtinës, duhet të presin korrikun. Prorektori për mësimdhënie dhe kërkime shkencore, Bajram Berisha, ka thënë se një gjë e tillë nuk do të ndodhë dot para datës 7 korrik.

“Është pak problematike çështja e konkursit, sepse aktualisht kemi 23 programe në fazën e akreditimit, 13 prej tyre janë të vjetra, ndërsa 10 janë drejtime të reja brenda fakulteteve përkatëse. Mbledhja e Bordit për akreditim do të mbahet më 6 korrik dhe sipas të gjitha gjasave konkursi do të hapet më 7 korrik për pranimin e studentëve të rinj”, ka thënë prorektori Berisha.

Sa i përket numrit të atyre që do të pranohen sivjet në Universitetin e Prishtinës, prorektori Berisha ka thënë se nga listat që kanë ardhur nga 17 njësitë akademike me kërkesat për regjistrim të studentëve të rinj, numri i tyre nga këto njësi në total ka shkuar në rreth 12 mijë studentë të rregullt, plus 1600 studentë të tjerë, që do të regjistrohen me korrespodencë. Këto lista, sipas tij, janë përkrahur nga Këshilli Drejtues i UP-së dhe janë dërguar në Ministrinë e Arsimit, që ajo t’i shqyrtojë e pastaj UP-së t’ia kthejë propozimet rreth mundësisë së rritjes ose jo të numrit të atyre që do të pranohen për këtë vit akademik në UP.  

“Ne i kemi shqyrtuar listat akademike që i kanë prurë degët dhe ato i kemi dërguar në Ministri të Arsimit, nga e cila presim reagimin rreth kësaj çështjeje. E nga ky reagim Senati i UP-së do të vendosë se cili do të jetë numri i studentëve të rinj që do të pranohen për vitin akademik 2011/12”, ka thënë Berisha. 

Sa i përket ndërhyrjes së Ministrisë rreth numrit të pranimit të studentëve të rinj, ministri i MASHT-it, Ramë Buja, ka deklaruar se listat e njësive akademike që paraqesin nevojat e tyre për numrin e studentëve të rinj, të cilat i ka dërguar rektorati i UP-së në MASHT, ministria në fjalë i ka shqyrtuar dhe si të tilla do t’i respektojë që të gjitha pa ndryshuar numrin e tyre.

“Ministria nuk do të ndërhyjë në përcaktimin e numrit të studentëve dhe do ta respektojë vendimin që do ta marrë Senati i këtij universiteti për këtë çështje”, ka thënë ministri Buja. 

Mosrritjen e numrit të studentëve që do të pranohen në UP, ministri Buja e ka arsyetuar duke thënë se ai beson që nuk ka nevojë të shtohet numri i studentëve, ngase kërkesat e njësive akademike të UP-së kanë qenë në proporcion me mundësitë që ato i kanë dhe numri rreth 12 mijë, sipas tij, nuk do të ndryshojë fare.

“Është diçka shumë solide dhe e matur mirë nga njësitë akademike dhe nga njerëzit përgjegjës. Numri i propozuar për këtë gjë nuk ka nevojë të ndryshohet”, ka thënë ai. 

Ndërsa sa i përket vendimit që ish-ministri i MASHT-it, Enver Hoxhaj, e pati marrë për rritje të numrit të studentëve të rinj nga 13 mijë në rreth 18 mijë, ministri Buja ka mohuar se do ta bëjë të njëjtën gjë.

Prorektori Berisha ka njoftuar se janë 3 fakultete që do të pilotohen sivjet, në të cilët studentët nuk do të kenë nevojë të hyjnë në provim pranues fare. Por, sipas tij, seleksionimi do të bëhet sipas rezultatit që nxënësit kanë treguar në testin shtetëror të maturës.

“Në Bujqësi do të pranohen deri në 500 studentë, në atë të Shkencave Matematiko-Natyrore, FSHMN 700 apo 800 dhe në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike rreth 500 studentë pa iu nënshtruar provimit pranues”, ka thënë prorektori për mësimdhënie dhe kërkime shkencore, Bajram Berisha./koha/

 


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat