
Partia e Drejtësisë mbështet në mënyrë të përsëritur kërkesën e kamotshme të besimtarëve mysliman për ndërtimin e Qendrës Kulturore Islame dhe Xhamisë së madhe në Prishtinë, si kërkesë plotësisht të drejtë dhe demokratike, duke kritikuar organet përgjegjëse për neglizhencë të palejueshme në këtë drejtim, që solli deri te grumbullimi i tensioneve të arsyeshme në komunitetin mysliman të kryeqytetit.
Partia e Drejtësisë mbështet shprehjen e pakënaqësisë qytetare të besimtarëve mysliman përreth xhamive kryesore në kryeqytet si të vetmen mënyrë të mbetur demokratike për të vetëdijesuar autoritetet e kryeqytetit dhe ato qendrore të vendit se i ka ardhë fundi nëpërkëmbjes së palejueshme të lirive dhe të drejtave fetare të komunitetit mysliman, që paraqet shumicën absolute në vend.
Liritë dhe të drejtat fetare janë të garantuara më Kushtetutë dhe ligj prandaj indiferenca e skajshme politike dhe pabarazia e plotë shumëvjeçare institucionale me rastin e trajtimit të kërkesave legjitime të qytetarëve të besimit Islam dhe të Bashkësisë Islame të Kosovës që kanë të bëjnë me liritë dhe të drejtat e tyre fetare, krahasuar me komunitetet e tjera fetare, janë të palejueshme dhe të papranueshme.
Partia e Drejtësisë gjithmonë ka mbështetë Policin e Kosovës në ushtrimin e kompetencave të saja kushtetuese dhe ligjore për ruajtjen e rendit por konsideron se në rastin e protestës së djeshme të 24 qershorit ato janë tejkaluar dhe keqpërdorë duke penguar në mënyrë të vrazhdë besimtarët mysliman që të shprehin në mënyrë paqësore dhe demokratike vullnetin e tyre të lirë qytetar dhe atë në momentet më të ndjeshme të kryerjes së lutjes së tyre kryesore para Zotit të madhërishëm.
Partia e Drejtësisë dënon ashpër ndërhyrjen e Policisë së Kosovës ndaj besimtarëve mysliman gjatë përmbushjes së obligimit të tyre kryesor fetar duke e vlerësuar si shprehje të qartë të voluntarizmit dhe papërgjegjësisë institucionale, si dhe mungesë të skajshme të ndjeshmërisë elementare për ndjenjat fetare të qytetarëve të cilëve në bazë të kushtetutës dhe ligjit janë të detyruar që tu shërbejnë.
Në vend se të shprehin keqardhje dhe të kërkojnë falje që për shkak të neglizhencës dhe paaftësisë së tyre institucionale i kanë detyruar qytetarët që obligimet e tyre fetare t’i kryejnë nëpër rrugët e kryeqytetit nën qiellin e hapur ata si asnjëherë më parë u janë drejtuar atyre me dhunë dhe forca speciale, për çka në mënyrë urgjente duhet të përcaktohet përgjegjësia e qartë institucionale dhe individuale./PD/