Ramiqi: Thaçi na ka premtuar xhami

Fuad Ramiqi po kërkon nga kryeministri Hashim Thaçi që ta mbajë një premtim të dhënë gjatë fushatës: ndërtimin e një xhamie të madhe në Prishtinë.

Përfaqësuesi i një lëvizjeje të quajtur “Bashkohu”, e cila ka marrë përsipër organizimin e protestave për ndërtimin e një xhamie në qendër të Prishtinës, ka thënë të martën se kryeministri i vendit e kishte dhënë këtë premtim.

“Kryeministri e ka dhënë premtimin para fushatës dhe gjatë fushatës elektorale që do ta ndërtojë xhaminë dhe do t’i plotësojë kërkesat e xhematit për një xhami në Prishtinë”, ka thënë Ramiqi në një konferencë për media të mbajtur para Xhamisë së Madhe në Prishtinë. Premtim të njëjtë kanë bërë thuajse të gjitha partitë, sipas Ramiqit.

“Edhe kryeministri, edhe kryetari i Komunës dhe të gjitha partitë që kanë bërë fushatë kanë thënë se do ta bëjmë këtë punë”, ka thënë ai.

Gazeta ka provuar të martën pasdite që të marrë një prononcim nga zyrtarët qeveritarë të PDK-së për të mësuar nëse u ka premtuar kryeministri Thaçi xhami besimtarëve, por nuk ia ka dalë. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi dhe ministrat Memli Krasniqi e Blerand Stavileci nuk e kanë hapur telefonin. 

Ish-anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka paralajmëruar që të premten do të bllokohet sërish rruga në udhëkryqin tek Xhamia e Çarshinë në shenjë proteste për mosndarjen e një trualli në qendër që për protestuesit do të ishte para Fakultetit të Filologjisë. Ai ka thënë se nuk ka kërkuar leje nga Policia për bllokimin e rrugës, por vetëm do t’i njoftojnë për këtë bllokim që pritet të ndodhë për herë të tretë këtë muaj./koha/

 


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat