Namazi i xhumasë - 01.07.2011

Mijëra besimtarë sot (të premten), në mënyrë të qetë, kanë falur namazin e xhumasë në sheshin “Adem Jashari” që ndodhet në mes të Komunës dhe Kuvendit të Kosovës. Numri i madh i besimtarëve dëshmoi nevojën për një xhami të madhe në qendër të Prishtinës.

E gjithë zona ku është falur xhumaja ka qenë e kontrolluar nga policë të njësisë speciale të Policisë së Kosovës. Ata kanë vënë shirita për të mos lejuar kapërcimin e zonës së caktuar nga besimtarët. Përveç policisë, rendin e kanë mbajtur edhe organizatorët e veshur me fanella të bardha e të kaltra.

Hutbeja e kësaj xhumaje u mbajt nga Fatos Rexhepi, i cili tha se protesta është anuluar pas analizimit të komunikatës së lëshuar nga Komuna e Prishtinës, e cila po shqyrton ndarjen e hapësirës për xhami dhe qendër islame.

Pas namazit, edhe pse aty kishin qenë një numër i madh i njerëzve, nuk mund të vërehej asnjë shenjë e ndonjë parregullsie, mbeturina apo të ngjashme, gjë që dëshmon për kulturën e atij numri të madh të njerëzve që kishin qenë aty.

Komunikata e Komunës së Prishtinës thotë:

“Zotëri Muhamet Gashi ka pasur takim me përfaqësuesin e lëvizjes ‘Bashkohu’, zotëri Fuad Ramiqin, në të cilin takim u dha premtimi se hapësira për ndërtimin e xhamisë në qendër dhe qendrës islame do të sigurohet në fillim të muajit të Ramazanit."

Por, Komuna nuk ka mundur të premtojë nëse ndërtimi i xhamisë do të nisë pikërisht në ditët e Ramazanit. Zëdhënësi i Komunës, Muhamet Gashi, ka thënë se Komuna është duke shqyrtuar disa lokacione për të vendosur pastaj se cila hapësirë do të ndahet për këtë qendër islame./Shembulli/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat