Temperatura afër 35, veteranët ende në grevë

Greva e rreth 100 veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po vazhdon edhe sot, në ditën e 49 të saj, ndërkaq që gjendja shëndetësore e grevistëve po përkeqësohet në vazhdimësi, vlerësojnë vetë grevistët dhe zyrtarët shëndetësor.

Xhevdet Qeriqi, kryetar i këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së, i cili gjithashtu po bën grevë, thotë se kërkesa e grevistëve për përshpejtimin e miratimit të Ligjit për veteranët e UÇK-së nuk është përfillur fare nga institucionet e larta të vendit.

“Temperaturat e larta, plagët, të gjitha e kanë bërë, është një situatë shumë alarmante e veteranëve të luftës. Jam duke u habitur me institucionet e Kosovës. Kalojnë pranë neve dhe e kthejnë kokën në anën tjetër”, thotë Qeriqi.

Ndërkaq, doktor Shpend Rrustemi nga urgjenca mjekësore e qytetit të Prishtinës, i cili u ka bërë vizitë mjekësore grevistëve, thotë se gjendja e tyre shëndetësore është e përkeqësuar.

“Shumica janë me tension të lartë dhe sëmundje kronike dhe në këto temperatura është shumë problem që të përballohen. Sidomos në tenda, sepse këtu temperaturat mund të shkojnë edhe deri në 50 gradë celsius. Kështu që, unë ju kam rekomanduar disa prej grevistëve që urgjentisht ta lëshojnë tendën dhe të shkojnë në ambiente shtëpiake, për shkaqe shëndetësore, që të mos rrezikohet më shumë shëndeti i tyre”, shprehet ai.

Por, Qeriqi thotë se vullneti i grevistëve është që greva të mos ndërpritet, ndërkaq që ka paralajmëruar edhe një protestë të tyre .

“Ne do të vazhdojmë deri në javën e ardhshme. Në javën e ardhshme e kemi një protestë, ku do t’i ftojmë të gjithë ata veteran, rreth 6 mijë, të cilët kanë qenë pjesë përkrahëse e jona dhe janë nënshkruar këtu, kanë qenë dhe na kanë vizituar”, deklaron Qeriqi.

Ndryshe, Fehmi Mehani, një nga grevistët, thotë se mospërfillja e institucioneve ndaj kërkesës së tyre mund ta përkeqësoj edhe gjendjen shpirtërore të grevistëve..

“Gjendja e grevistëve është shumë rëndë. Qeveria nuk ka ndërmarrë asgjë. Qeveria, në njëfarë mënyre, na tërheq neve kah ‘sindromi amerikan i Vietnamit’. Prandaj edhe ju bëj lutje, se po u shfaq ‘sindromi amerikan’, mendimi im personal është, atëherë nuk i duhet as Qeverisë. Pra, po e lus Qeverinë që të marrë masa më të shpejta dhe të mos arrihet deri te ajo”, thotë Mehani.

Në anën tjetër, Sami Kurteshi, avokat i popullit, thotë se kërkesat e veteranëve të UÇK-së, të cilët po bëjnë grevë, janë të drejta dhe ata, fillimisht, nuk bën të lihen në gjendjen në të cilën janë. /rel/

 


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat