16 vjetori i masakrës së Srebrenicës

11 Korriku risjell në kujtesën e njerëzimit kujtimin e një prej masakrave më të tmerrshme të kryera në Evropë dhe në botë. Megjithëse kanë kaluar 16 vjet nga masakrimi i mbi 8 mijë muslimanëve boshnjakë nga kriminelët serbë, tmerri i kësaj tragjedie vazhdon të mbetet në memorien e njerëzimit. Tragjedia në fjalë, që u mori jetën 8300 personave, ishte një ndër pjesët më të errëta të historisë së kohëve të fundit në Evropë. Në ato ditë, trupat serbo-boshnjake të udhëhequra nga gjenerali Ratko Mlladiç, hynë në Srebrenicë dhe masakruan popullsinë myslimane. 8300 të vdekur është bilanci zyrtar, por banorë të Srebrenicës, të mbijetuar nga masakra, deklarojnë se viktimat mund të jenë më shumë se 10 mijë.

Më 11 korrik të 1995 qyteza e Srebrenicës u la prej vëzhgueseve të OKB-së në duart e ushtarëve serbë. Dhjetra familje dhe të afërm të viktimave presin akoma identifikimin e kufomave për të përcjellë më pas për në banesën e fundit njerëzit e tyre më të dashur. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka cilësuar “Srebrenicën” si masakrën më të madhe që pas Luftës II Botërore dhe si gjenocid ndaj popullsisë civile. Serbia ka shprehur keqardhje për masakrën por pa përmendur fjalën gjenocid. Në kohën e kryerjes së masakrës, OKB e kishte shpallur Srebrenicën zonë të sigurtë, por kaskat blu holandeze nuk bënë asgjë për të ndalur masakrimin e muslimanëve.

Gjykata e apelit në Hagë po shqyrton një kërkesë të shoqatës “Nënat e Srebrenicës” për gjykimin e OKB për shkak të qëndrimit pasiv të mbajtur gjatë masakrimit të mbi 8 mijë muslimanëve boshnjakë në Srebrenicë nga forcat serbe.Më parë Gjykata e Hagës kishte deklaruar se nuk mund të gjykojë OKB-në për shkak të imunitetit juridik të kësaj organizate. Avokati Axel Hagedorn që përfaqëson shoqatën “Nënat e Srebrenicës”, deklaroi se asnjë imunitet nuk është absolut.

Edhe pse pas 16 viteve të kësaj tragjedie janë hedhur hapa pozitiv si kapja e kriminelit Ratko Mlladiç, por akoma nuk janë zbardhur shumë dimensione të fshehta të kësaj masakre dhe vendet evropiane të cilat kanë qenë të zhytura në këtë spastrim etnik vazhdimisht janë munduar të fshehin gjurmët e pjesëmarrjes së tyre në këtë spastrim etnik. Zbardhja e të gjitha dimensioneve dhe zbulimi i të elementëve që kanë marrë pjesë në këtë spastrim etnik do të ndihmonte në parandalimin e përsëritjes së të tilla gjenocideve në botë dhe do t'i qetësonte sadopak familjet e dëshmorëve të rënë në këtë masakër e cila është një njollë e zezë për botën 'demokratike' të perëndimit./irib/

 


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat