Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave ka organizuar sot një tryezë diskutimi me temën “Bashkëpunimi shoqëror mes Kosovës dhe Egjiptit”.
Tryeza është organizuar me rastin e vizitës së një delegacionit nga Egjipti me qëllim që të analizohet situata në të dy vendet dhe mundësitë për bashkëpunim në rrafshin shoqëror, medial e joqeveritar.
Në një komunikatë për media të KIPRED-it, thuhet se zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi ka thënë se pas largimit të Hosni Mubarakut nga pushteti dhe vizitës së delegacionit të Egjiptit në Kosovë “u hap një derë e vogël, por permanente ku shihet se mund të shkëmbejmë eksperienca”.
Sipas kësaj komunikate, “në këtë takim u theksua nevoja e shkëputjes së ndikimit të shtetit në medie, pasi që e kaluara tregon se një praktikë e tillë nuk është në shërbim të qytetarëve”.
Ismail Elfakharany, kolumnist në gazetën Al Ahram, sipas komunikatës ka theksuar se “në një mënyrë apo tjetër qëndrimet e zyrtare të Egjiptit do të jenë në përputhje me qëndrimet e popullatës, e këtu përfshihet edhe pavarësia e Kosovës”./koha/











































