
Financimi i xhamisë është bërë nga shoqata humanitare arabe Sheik Eid Bin Muhammed Al Thani nga Katari, donatorja Selma Muhamed el Huti po ashtu nga Katari, si dhe Këshilli i Bashkësisë Islame në Gjakovë.
Në mbarëvajtjen e punëve ndërtimore, prej fillimit e gjer në fund, kanë kontribuar xhematlijntë e kësaj xhamie, për të cilët lusim Allahun e Madhëruar t’i shpërblej me Xhennet.
Në këtë ceremoni përveç imamëve të KBI-së në Gjakovë, xhematlinjëve dhe qytetarëve të komunës së Gjakovës, të Kosovës e të trevave tjera shqiptare, të pranishëm ishin edhe Myftiu i Republikës së Kosovës Mr.Naim ef.Tërnava i shoqëruar nga kryeimami i Republikës së Kosovës Sabri ef.Bajgra, Vedat Shabani e Dr.Islam Hasani. Përfaqësues të shoqatës humanitare arabe Sheik Eid Bin Muhammed Al Thani, Kryetari i Komunës së Gjakovë, dr.Pal Lekaj me bashkëpunëtorë, përfaqësues të KFOR-it Turk, pjesëtarë të Policisë së Republikës së Kosovës, si dhe përfaqësues të partive politike e të OJQ-ve .
Ceremonia filloi me fjalën hyrësi të imamit të xhamisë Abdurrahman ef.Bejtullahu i cili tha: “Të dhënat e pakta që i posedojmë tregojnë se kjo xhami është ndërtuar në vitin 1817, dhe gjatë historisë së saj është rindërtuar disa herë. Xhamia e Qylit e kishte edhe minaren e cila në vitin 1961 rrënohet nga pushteti komunist. Pas luftës famëkeqe si çdo objekt fetar i Bashkësisë Islamë të Kosovës edhe Xhamia e Qylit u dëmtua nga forcat serbe. Por, falë Krijuesit Fuqiplotë dhe një bashkëpunimi të mrekullueshëm mes Këshillit të Bashkësisë Islame të Gjakovës dhe Kuvendit komunal është arritur marrja e lejes për ndërtimin e saj. Ky projekt është modern i cili i plotëson të gjitha nevojat e xhematit si në rrafshin e adhurimit e poashtu në atë të edukimit të brezave të ri. Xhamia e ndërtuar, siç e shihni sot, ka një sipërfaqe prej 1200m2 të ndarë në tri etazhe, ajo me bukurinë e saj madhështore dhe funksionale, jo vetëm që zbukuron ambientin, por e zbukuron edhe qytetin tonë.”
Më pas fjalën e mori kryetari i KBI-së të Gjakovës Fatmir ef.Iljazi i cili tha: “I nderuari myfti i Republikës së Kosovës, Magjistër Naim ef.Tërnava me bashkëpunëtorë, i nderuari kryetar i komunës së Gjakovës, Doktor Pal Lekaj me bashkëpunëtorë, të nderuar mysafir nga viset e ndryshme shqiptare, të nderuar të gjithë të pranishëm, më lejoni që me kënaqësinë më të madhe t’ju shprehi mirëseardhjen dhe t’ju uroj dhe përgëzoj për mundin, sakrificën dhe kohën që keni ndarë që bashkërisht në vigjilje të muajit të shenjtë të ramazanit të startojmë apo më mirë të themi të vazhdojmë me kryerjen e veprave të mira, respektivisht me hapjen e kësaj shtëpie të Zotit, në të cilën shtëpi do të thirret në vazhdimësi për njësimin e Tij, për devotshmëri, dashuri dhe respekt për njëri tjetrin. Pas falënderimit të Zotit, shfrytëzoj rastin t’i falënderoj të gjithë, e në veçanti Myftiun e Kosovës, Naim ef.Tërnavën, i cili qysh në fillim të mandatit të tij të dytë në vënjen e gurëthmelit të kësaj xhamie pati premtuar se gjatë mandatit të tij kjo xhami do të përfundoj në formën dhe mënyrën më të mirë të mundshme. Ky premtim nga myftiu, duke falënderuar Zotin, u realizua, dhe dihet mirëfilli se realizimi i premtimeve është tipar dhe veçori e besimtarëve të devotshëm. Një falënderim të veçantë gjithashtu ia shprehim kryetarit të komunës së Gjakovës, dr. Pal Lekaj, i cili e mbështeti dhe e përkrahu, jo vetëm këtë projekt, por të gjitha projektet e Këshillit të Bashkësisë islame të Gjakovës, duke mos anashkaluar edhe ndihmat dhe financimin e këtij projekti madhështor nga KBI e Gjakovës dhe shoqata humanitare dhe donatorët nga shteti i Katarit, të cilët kanë dhënë një ndihmë jashtëzakonisht të madhe”.
Pas përfundimit të fjalës së tij, kryetari Iljazi e ftoi kryetarin e Komunës së Gjakovës dr. Pal Lekaj që të merr fjalën. Ai ndër të tjera tha: “I nderuari myfti i Republikës së Kosovës z.Tërnava, i nderuar kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame të Gjakovës, z Iljazi, të nderuara struktura udhëheqëse të Bashkësisë Islame të Kosovës, struktura të besimit fetar në Gjakovë, të nderuar ju besimtar dhe qytetar të komunës së Gjakovës. Edhe kjo shtëpi e Zotit, sie edhe të gjitha ato që ngritën me qëllime të mira, për të pasuruar shpirtin tonë, për t’u edukuar në frymë njerëzore, për t’u vetëdijesuar dhe edukuar në frymë të Zotit, janë vende të cilat ne duhet t’i ndërtojmë dhe t’i ruajmë. Të ndërtosh objektet e kultit, je ndërtues i besimit, të ndërtosh besim je ndërtues i paqes, të ndërtosh paqe në mesin ku jeton është virtyti më i lartë njerëzor, është përkushtimi më i madh ndaj vetë Krijuesit tonë. Paqa garantohet prej atij vendi, prej atij mjedisi, prej atij populli prej nga del vetëm kuptimi dhe dashuria njerëzore, sepse aty është vendi ku duhet të përulemi dhe të komunikojmë me Zotin, të komunikojmë me njëri tjetrin dhe të kthehemi të gjithë në figurën e njëri tjetrit për të dashur njeriun si krijesa më e përsosur që ka bërë Zoti Krijues. Një citat në librin e shenjtë thotë: “Duaji të tjerët siç e do veten”. Lutja, besimi në Zotin, dashuri për njeriun dhe toleranca janë atributi më i kultivuar ndër të gjitha kultivimet tjera që kemi bërë ndër shekuj ne shqiptarët. Lutemi sepse besojmë në Zotin, lutemi gjithnjë sepse jemi një popull i civilizuar duke mos jetuar në urrejtje, por duke e dashur njëri tjetrin sepse të gjitha rrugët na shpiejnë tek një Zot. Urime.
Në vazhdim fjalën e mori Myftiu i republikës së Kosovës Mr. Naim ef.Tërnava, cili pasi përshëndeti kryetarin e komunës së Gjakovës, kryetarin e Këshillit të Bashkësisë Islame të Gjakovës, dhe të gjithë të pranishmit tha: “Jemi në prag të muajit të shenjtë dhe të bekuar të ramazanit, në prag të kësaj dhurate të madhe që i Madhi Zot për çdo vjet ia dhuron besimtarëve, ndaj dhurata më e madhe për qytetin e Gjakovës, në veçanti për xhematin, është ndërtimi i kësaj xhamie, shtëpie të Zotit në të cilën do të kenë mundësi vëllezërit dhe motrat tona ta adhurojnë Krijuesin Suprem dhe t’i kryejnë obligimet e tyre fetare. Vërtet i Madhi Zot në Kur’anin famëlartë thotë: Vërtetë xhamitë, shtëpitë e Zotit i ndërtojnë ata njerëz të cilët e besojnë Allahun xh.sh., e besojnë ditën e mbramë, i besojnë të gjitha urdhrat e të Madhit Zot, falin namazin, japin zeqatin dhe nuk i frikësohen askujt përveç Zotit. Andaj edhe besimtarët tanë si në Gjakovë, ashtu edhe në qendrat tjera të Kosovës kanë punuar dhe po punojnë që ta qetësojnë shpirtin e tyre të trazuar brenda atij sistemi komunisto-ateist i cili sundoi vite me radhë nën këtë nëqiell, synimi i të cilit ishte që këtë popull ta largoj nga ndjenja e besimit dhe nga ndjenja e atdhedashurisë. Mirëpo falë Zotit dhe falë kontributit tonë, falë baballarëve dhe stërgjyshërve tanë, falë të gjithë atyre që kontribuan dhe kontribuojnë me çdo forcë, falë gjakut të derdhur dhe flijimeve të shumta nuk ia arritën ta bëjnë këtë, ngase forca e imanit dhe besimit është mbi të gjitha, është mbi forcën e çdo sistemi dhe çdo tentative të dobësimit të besimit në Zotin një, sepse i Madhi Zot e ka garantuar këtë. Andaj edhe njëherë ju uroj këtë shtëpi të Zotit dhe ju falënderoj të gjithëve për prezencën tuaj, e në veçanti kryetarin e komunës për fjalët e mira e domethënëse dhe kontributin e tij, i cili në vazhdimësi ka treguar gatishmëri në përmbushjen e të gjitha nevojave për të cilat ka pasur Këshilli i Bashkësisë Islame në Gjakovës”.
Pas fjalëve të Myftiu u bë prerja e shiritit, e përcjellur me tekbire nga xhmatlinjtë, e që në shenje gëzimi u shoqërua edhe me tingujt e daulles tradicionale. Në fillim u falen dy reqate përshëndetëse për xhaminë “Tehjetul mexhid”, e më pas falja e namazit të drekës të cilën e udhëhoqi Muftiu Naim ef.Tërnava.
Pas faljes së namazit Këshilli i Bashkësisë Islame të Gjakovës për të gjithë mysafirët shtroi një drekë modeste në restaurantin “President”./islamgjakova/
Përgatiti: Esat Rexha