
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaci, ka ngushëlluar familjen e policit të ndjerë, duke thënë se “sakrifica e Enverit në mbrojtje të kufinjve të atdheut, të shtetit të Kosovës, do të mbetet përherë në kujtesën dhe zemrën e qytetarëve të Kosovës”.
“Me dhimbje të madhe morëm lajmin që polici i shtetit të Kosovës, Enver Zymberi, edhe përkundër përkushtimit të madh të ekipeve mjekësore, ndërroi jetë sonte, pas plagëve të marra nga sulmi i turmave të dhunshme që tentuan të bllokonin vënien e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në pikat kufitare në veri të Kosovës, por që nuk ia arritën”, thuhet në telegram.
Thaçi ka thënë se vdekja e Enverit është një humbje e madhe jo vetëm për Policinë e Kosovës, por për mbarë popullin dhe institucionet e vendit.
“Falë Enverit dhe policëve të kalibrit të tij të lartë, institucionet e Kosovës arritën të vënë ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë në pikat kufitare në veri të vendit. Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, ju lutem pranoni ngushëllimet më të sinqerta”, përfundon telegrami i ngushëllimit.
Polici Dubovci në veri gjendej në kuadër të aksionit të ndërmarrë nga forcat e rendit, për të rivendosur kontrollin në vendkalimet kufitare me Serbinë, në veri të Kosovës./rtk/