Kuvendi votoi qeverinë e re të Maqedonisë

Parlamenti i Maqedonisë miratoi në orët e mbrëmjes qeverinë e re të VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, për të cilën votuan 78 deputete sa ishin te pranishem në seancë.

Asnjë nuk ishte kundër, nuk pati as apstenime nga votimi. Këto ishin votat e maxhorancës, pasi opozita që më herët gjatë ditës kishte njoftuar bojkotimin e séances. Në fillim të punimeve, Gruevski shpalosi programin e ri qeveritar 2008 – 2012 me fokus të veçantë tek ekonomia, punbësimet, anëtarësimi në BE dhe NATO dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Greqinë për emrin pa cënuar identitetin kombëtar. Për Gruevskin të rëndësishme janë edhe ruajtja e marrëdhënieve të mira ndëretnike si dhe përfundimi i zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit

“Mirëmbajtje të zhvillimit të lartë ekonomik së paku  prej 6 për qind, me qëllim që të përmirësohet standardi i jetesës  së qytetarëve dhe të ulet shkalla e papunësisë, rritje të investimeve të brendshme dhe të huaja, në bazë të një klime më të mirë biznesi, zhvillimi i bujqësisë, ndërtimi dhe modernizimi i rrugëve dhe hekurudhave, modernizimi i aeroporteve, zgjerimi i kapaciteteve energjetike, perspektivë më e mirë për të rinjtë dhe siguri më e madhe për të rriturit dhe pensionistët, shkallë e lartë e sigurisë dhe luftë e vendosur kundër korrupsionit dhe krimit. Gjyqësor i pavarur dhe efikas dhe zbatim joselektiv së drejtësisë”.  “Qeveria nuk do të pranoj ide dhe propozime që do ta dëmtojnë identitetin nacional maqedonas, kombin maqedonas dhe gjuhën maqedonase, ne nuk do të pranojmë ndryshimin  e Kushtetutës me qëllim për të na ndryshuar emrin kushtetues, ne nuk do të lejojmë çfarëdo lloj zgjidhjeje dhe çfarëdo kompromisi për kontestin që na ka imponuar Greqia që të pranohen nga institucionet e Maqedonisë para se të prononcohen qytetarët e saj nëpërmjet referendumit. Do të punojmë ditë dhe natë që bëhemi anëtare e BE-së dhe NATO-s. Nëse Greqia vendos që në afat të gjatë të na i mbyll dyert deri në qëllimin e dëshiruar me nënçmime dhe forcën që e demonstronte, ne do të veprojmë në  strategjinë për stabilitet dhe në zhvillimin serioz ekonomik dhe demokratik të vendit bile edhe në kushte të tilla”, tha kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski gjatë prezentimit para deputetëve të programit të qeverisë së re.

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, që është partner i Gruevskit në qeverinë e re, tha se koalicioni i përbërë nga fituesit e dy blloqeve do të jetë stabil dhe efikas. BDI sipas Ahmetit si parti fituese në zgjedhjet e fundit parlamentare në kampin politik shqiptar, hyn në qeveri për të realizuar kërkesat e shqiptarëve, për të implementuar në tërësi Marrëveshjen e Ohrit.

“Si njerëz dhe politikanë të ndërgjegjshëm arritëm që t’i tejkalojmë të gjitha paragjykimet, stereotipet që ishin të grumbulluara dhe para jush dalim me koalicionin që i ka të gjitha mundësitë që të jetë stabile, e suksesshme, efikase dhe e dobishme për të gjithë qytetarët e Maqedonisë. Koalicionin që sot e promovojmë edhe juridikisht e zyrtarizojmë në rend të parë e përcjellë porosinë se ne së bashku krijuam parakushtin e parë për rritjen e besimit dhe mirëkuptim ndërmjet bashkësive etnike në vend”, deklaroi  kryetari i BDI-se, Ali Ahmeti.
Ahmeti në fund uroi në gjuhën maqedonase partnerin e tij për sukses. “Në fund, zoti Gruevski u dëshiroj shumë sukses dhe ardhmëri më të mirë për të gjithë ne“, shtoi Ahmeti.
Seanca e pasdites u zgjat edhe nga diskutimet e deputeteve të mazhorancës, të vetmit të pranishëm në sallë që uruan Gruevskin një nga një për qeverinë e re. Edhe perkundër tentimit nga ana e kryetarit të parlamentit Trajko Veljanovski që të bindë opozitën të marrë pjesë në këtë seancë, ashtu edhe sic pritej, ajo e bojkotoi. Kabineti Gruevski-Ahmeti do të ketë gjithsej 15 ministra, 3 të tjerë pa portofol, dhe tre zv/kryeministra. Partia shqiptare BDI në këtë qeveri do të përfaqësohet me 5 ministri dhe një post zv/kryeministri./alsat-m/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat