Budapest - Policia hungareze ka arrestuar një shtetas të Serbisë i cili së bashku me dy persona të tjerë dyshohet se ka kryer krim të tmerrshëm duke i varrosur njerëzit të gjallë në një mal jo larg Budapestit, ka bërë të ditur Televizioni Publik në Hungari.
Autoritetet hetuese në Hungari në vendin e ngjarjes gjetën tre kufoma, dhe tre kafka njerëzish që ishin varrosur muaj më parë.
Sipas raportimeve atje, krimin monstruoz e ka zbuluar një i ri i cili ishte po ashtu viktimë e kësaj vepre. Ky djalosh nga Rumania që nuk i përmendet identiteti pasi ishte groposur i gjallë, kishte arritur qe të largojë dheun nga vetja, ndërsa pas disa orësh ka gjetur rrugëdalje për të lajmëruar policinë e cila ka reaguar menjëherë.
Mediet hungareze raportojnë se serbi i arrestuar e njihte viktimën. Ai e kishte ftuar atë për të pirë birra në një nga malet e afërta në Budapest. Serbi në ato momente ishte i shoqëruar edhe nga dy persona të tjerë. Pasi pinë disa shishe birra, që të tre nisën ta torturojnë të riun dhe më pas e hodhën në një gropë qe e kishin hapur aty afër.
Njëkohësisht viktima ka rrëfyer se para se ta hidhnin në gropë ia morën kredit kartelën duke ia kërkuar edhe pinin, por ai beson se kjo nuk ka qenë arsyeja pse është kryer krimi.
Hungaria është alarmuar nga ky rast, derisa autoritet shtetërore kanë sugjeruar hetime intensive nëse këta persona do të mund të kishin lidhje edhe me grupe tjera kriminale./gjuhashqipe/