
Gazetari gjerman thotë se në veri të Kosovës kriminelët janë bashkuar me politikën, kanë marrë përkrahje nga njerëz jashtë Kosovës, por edhe jashtë Serbisë. Përkrahësit madje po vijnë edhe nga Rusia.
“Kemi ardhur këtu për t’iu ndihmuar vëllezërve serbë. Ne të gjithë jemi një gjak. Jemi të të njëjtit gjak, të njëjtit besim ortodoks dhe të gjithë duhet të jemi të bashkuar t’i ndihmojmë njëri-tjetrit”, ka thënë për ARD një i ri rus, i shoqëruar nga ekstremistë të tjerë, në mesin e të cilëve edhe persona me fanella të grupit radikal “Srpski Vitezovi”.
Gazeta Express para dhjetë ditësh ka raportuar se Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) ka identifikuar mercenarë rusë në veri, të cilët erdhën aty pas aksionit të policisë speciale të Kosovës për të vënë në kontroll pikat kufitare 1 dhe 31.
Në mesin e atyre që kanë vënë bllokada në rrugët në Veri të Kosovës nuk ka vetëm pjesëtarë të strukturave paralele, të MUP’it serb dhe shërbimit inteligjent të Serbisë, por edhe terroristë si dhe mercenarë të ardhur nga Rusia, ka thënë me 1 gusht për Express, një burim nga AKI-ja.
“Nëpër bllokada në rrugët në Veri ka njerëz të armatosur të grupit terrorist Garda e Car Llazarit si dhe mercenarë rusë”, ka theksuar ai.
“Këtë e dinë jo vetëm organet kosovare të sigurisë, por edhe ato ndërkombëtare”, ka shtuar ai.
“Fatkeqësisht, strukturat paralele, kryetarët e paligjshëm të komunave në Veri si dhe kriminelët Marko Jaksic, Milan Ivanovic dhe rrjeti i tyre kriminal kanë detyruar edhe qytetarë të thjeshtë serbë të qëndrojnë me orar nëpër barrikada”, ka thënë burimi.
Për praninë e kriminelëve të armatosur dhe snajperistëve dhe ekstremistëve që detyrojnë dhe paguajnë qytetarë serbë të Veriut për të qëndruar në barrikada pa dëshirën e tyre, kanë folur shpeshherë edhe përfaqësues të KFOR’it, por askush nuk është arrestuar. /indeksonline/