“Medvegja Forum” shënon 5 vjetorin

Kjo shoqatë tani e pesë vjet me radhë kontribuon në forma dhe mënyra të ndryshme për sensibilizimin e çështjes shqiptare në Medvegjë, duke u orientuar veçanërisht në informim, ndihma humanitare, si dhe në organizime tjera kombëtare, me qëllim që ta mbajë gjallë dhe sa më të fuqishme dashurinë ndaj vendlindjes, përkatësisht Medvegjës me fshatrat përreth.

Udhëheqësi i kësaj shoqate, Burim Uka, duke folur në pika të shkurtra, e ilustroi në vija të trasha aktivitetin 5-vjeçar, i cili ka qenë i gjithanshëm dhe frytdhënës. Në këtë vazhdë ai ceku organizimet e ndryshme kulturore e sportive, organizimin e ndihmave humanitare të herëpashershme, aksionin për dhurimin vullnetar të gjakut në Shërbimin e Transfuzionit të Gjakut në Prishtinë nga një grup medvegjasish, realizimin dhe përkujdesjen për ueb-faqen ,medvegja.net, formimin e grupit letrar“Bafti Krasniqi”, si dhe së fundi botimin e revistës kulturore dhe informative “Zëri i Medvegjës. Të gjithë a këto aktivitete kanë qenë barrë e të rinjve medvegjas, të cilët i kanë përmbushur detyrat pa e kursyer djersën e kohën e tyre.

Kryetari Uka e falënderoi për angazhim tërë ekipin, i cili e përbën Kryesinë e kësaj shoqate, në këtë përbërje: Driton Beha, Gëzim Zeqiri, Arsim Syla, Florije Bislimi, Ilir Arifi, Liridon Zejnullahu, Faton Beha, Jeton Emini dhe Arsim Uka

Si ilustrim i gjithë kësaj, por edhe për aktivitetet tjera, u shfaq një dokumentar mjaft domethënës me pamje vizuale nga kjo veprimtari.

Në jubileun e pestë të ekzistimit dhe të veprimtarisë, Shoqata Kulturore Bamirëse “MEDVEGJA FORUM” i nderoi me mirënjohje disa nga përkrahësit, donatorët dhe kontribuuesit e këtij organizimi, ndër të cilët: z Arsim Krasniqi,  prof.dr. Gani Jashari, z. Florim Demiri,  z.Nazmi dhe Feride Jashari, z.Ali Hajdini ,z. Jonuz Fetahu,  z.Arta Uka,  z.Miradie Zymberi Avdullahu, z.Shaban Cakolli, z.Florije Bislimi, z.Asllan Ismajli, z.Bajram Rushiti dhe  z.Zeqir Demiri.

Dr. Gani Jashari, në fjalën e falënderimit, theksoi se ueb-faqja  medvegja.net  është shumë e klikuar, jo vetëm në Kosovë, por edhe gjithandej vendeve tjera ku jetojnë e veprojnë shqiptarët, ndërkaq e shtroi nevojën e interesimit dhe të angazhimit më të madh të institucioneve kosovare për çështjen e pazgjidhur dhe të mbetur pezull të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, përkatësisht të asaj pjese të Kosovës Lindore.
Ndërkaq, Jonuz Fetahu me këtë rast e cilësoi ueb-faqen medvegja.net  si gazetë, televizion e radio, ose si një dritare e gjithanshme e informimit për shqiptarët e Medvegjës, ndërkaq aktivitetin e të rinjve e vlerësoi si shumë domethënës e të rëndësishëm, madje shpesh edhe më frytdhënës se çdo aktivitet i çfarëdo forme tjetër. Prandaj, sipas tij, aktiviteti i këtyre të rinjve duhet mbështetur dhe përkrahur në të gjitha format e mundshme. 
Moderatore ishte Miradie Zymberi-Abdullahu, e cila këtë manifestim e udhëhoqi me elegancë, ndërkaq për fund i lexoi dy poezi me motive për vendlindjen, të cilat i emocionuan të pranishmit, madje disa nga ta nuk arritën t’i përmbajnë as lotët e mallëngjimit.  Krejt në fund, për të pranishmit u organizua një koktej rasti./Medvegja.net/

 


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat