
Sekretari i Përgjithshëm i AAK-së, Burim Ramadani, në një bisedë për Indeksonline, ka paralajmëruar kundërshtimin e subjektit të tij për këtë çështje.
“Ne konsiderojmë se duhet të ndërtohet konsensusi i plotë kombëtar për çështjen e tillë dhe derisa nuk ka konsensus të tillë, ne do të votojmë kundër amandamentit që lejon edukimin fetar në shkollat publike”, ka thënë Ramadani.
Sipas tij, insistimi i këtillë ekstrem i një grupi të besimtarëve Islam është vërtetë shqetësues, për shkak të qëndrimeve fundamentaliste të tyre ndaj vlerave kryesore të kombit shqiptar, sikurse është Gjergj Kastrioti apo Nëna Terezë.
“U bëj thirrje të gjithë këtyre ekstremistëve që të mos përdorin metoda kërcënuese për të arritur qëllimet e tyre, sepse kjo jo vetëm që është e papranueshme, por edhe nuk do të tolerohet. Mos të harrojnë këta njerëz se Shkolla e Parë Shqipe është themeluar nga Pandeli Sotiri, dhe kjo është një dëshmi e fuqishme për unitetin kombëtar shqiptar pavarësisht përkatësisë fetare”, ka thënë Ramadani për Indeksonline./Indeksonline/