Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi ua uron të gjithë besimtarëve myslimanë shqiptarë Festën e shenjtë të Fitër Bajramit nëpërmjet një mesazhi të bërë publik sot:
Çdo vit jeta e një besimtari mysliman pasurohet nga një formë e veçantë e shprehjes së besimit dhe të shërbimit ndaj të Plotfuqishmit përmes Muajit të Shenjtë të Ramazanit.
Në këto momente të gëzueshme e të lumtura për të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë kudo ndodhen, shpreh urimet e mia më të ngrohta e të përzemërta për ju dhe familjet tuaja që kjo ditë e bekuar t’ju gjejë në harmoni, paqe e mirëkuptim me njëri-tjetrin, plot shëndet e mbarësi për të gjithë të afërmit e të dashurit tuaj! Një mendim i veçantë në këtë ditë të shenjtë vlen të jetë edhe për të gjithë ata që sot ndiejnë nevojën për solidaritet, dhembshuri e respekt njerëzor për vështirësitë, me të cilat i ka përballur jeta.
Besimi dhe ndjenja e mirëkuptimit, tolerancës dhe harmonisë njerëzore janë mesazhet e shpresës që të gjithë besimtarët mund të përcjellim në këtë ditë të shënuar në kalendarin islam.
Gëzuar Festën e Fiter Bajramit! Zoti pastë pranuar agjërimin dhe veprën tuaj!” – theksohet në mesazhin e urimit të Kreut të Shtetit.