Besimtarët muslimanë sot e kanë falur namazin e xhumasë në sheshin “Adem Jashari” që ndodhet në mes të Komunës dhe Kuvendit të Kosovës. Ky organizim u bë në shenjë proteste për shkak të mosplotësimit të kërkesave të besimtarëve nga komuna e Prishtinës, votimit kundër mësim-besimit dhe ndalimit të bartjes së shamive në shkolla.
Edhe këtë herë ky organizim ishte bërë nga lëvizja “Bashkohu me ne” të cilët qysh në fillim bënë u apel besimtarëve që të protestojnë në mënyrë paqësore dhe të mos bien pre e ndonjë provokimi.
Fuad Ramiqi, udhëheqës i lëvizjes “Bashkohu me ne”, ka thënë se protestat nuk do të ndalen deri në realizimin e premtimeve që janë dhënë gjatë fushatës zgjedhore. Ai, po ashtu, i është përgjigjur edhe kryetarit të Prishtinës, Isa Mustafa, se besimtarët nuk kanë para për ta blerë Grandin.
“Ne nuk do të ndalemi deri në realizimin e premtimeve që ka bërë ky koalicion qeverisës gjatë fushatës. Po ashtu, ne nuk kemi të holla ashtu siç ka thënë kryetari Mustafa për të blerë Grandin, por duhet që institucionet të gjejnë zgjidhje”, ka thënë ai.
Pas faljes së namazit të xhumasë, besimtarët janë nisur drejt objektit të Qeverisë, ku edhe një herë janë shpalosur kërkesat në lidhje me mësim-besimin dhe bartjen e shamisë në shkollat publike. Këtu besimtarëve iu bashkuan edhe imamë të tjerë (të cilët xhumanë e kishin falur në xhami), në mesin e të cilëve edhe Dr. Shefqet Krasniqi, i cili foli para të pranishmëve duke thënë se projektligji që deputetët kanë votuar kundër mësim-besimit duhet të rishqyrtohet edhe një herë në Parlament dhe ka kërkuar nga presidentja, Atifete Jahjaga, që mos ta nënshkruaj atë.
Nga këtu Fuad Ramiqi ka kërkuar nga Behgjet Pacolli dhe Hashim Thaçi t’i përmbushin premtimet ose të prishin koalicionin.
Sikurse edhe herën e kaluar, besimtarët i janë përmbajtur kërkesës së organizatorit dhe pas afro dy orëve, janë shpërndarë të qetë./shembulli/foto:indeksonline/