Zjarri djeg fermën me mbi 40 lopë në Strugë

Zjarri që ka përfshirë pasdite rajonin e fshatit Dobovjan të Strugës ka djegur plotësisht një fermë me mbi 40 lopë.

Sipas korrespodentit të agjencisë së lajmeve INA, përveç lopëve janë djegur edhe ushqimet e kafshëve, makineritë bujqësore si dhe teknologjia e instaluar për përkujdesje.

Ekipet e zjarrfikësve kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe pas intervenimit disa orësh e kanë vënë zjarrin nën kontroll, por brenda ambienteve të fermës gati gjithçka është bërë shkrumb.

Pronari Berat Zhuta deklaroi se janë djegur tërësisht 37 lopë dhe viça, makineria dhe teknologjia e mjeljes dhe ushqimit dhe çdo gjë që ka mundur të digjet bashkë me objektin. Shpëtimtarët kanë arritur të shpëtojnë vetëm 5 lopë, të cilat po ashtu kanë pësuar djegie të një shkalle të lartë.  Sipas vlerësimeve të para, dëmi i shkaktuar në fermën e lopëve, arrin në disa qindra mijëra euro, që sipas fjalëve të Berat Zhutës, vetëm objekti ka kushtuar mbi 50 mijë euro.

Adi Zuta, veteriner i diplomuar, një nga pronarët e fermës u shpreh: “Dëmi është shumë i madh sepse i kisha të gjitha në sistemin e mjeljes automatike, gjithçka automatike sipas standardeve që po kërkoheshin, por fati i këtillë ishte”.

Komandanti i stacionit të zjarrfikësve, Urim Kaba theksoi se ekipet e zjarrfikësve me kohë kanë dalë në vendin e ngjarjes, menjëherë sapo kanë pranuar thirrjen.

“Ne kemi intervenuar nën masa të jashtëzakonshme sapo jemi informuar. Dhe rreth orës 19.30, zjarri është vënë nën kontroll. Në këtë moment, në rajonin e Strugës, ka disa vatra zjarri dhe konkretisht në vendin e quajtur Zabeli i Begut, në Belicë të Poshtme, në fshatin Misllodezhdë etj”, deklaroi Urim Kaba.

Zjarret ditëve të fundit kanë përfshirë edhe vende të tjera kryesisht malore në Maqedoni./Mehmet Latifi/INA{jathumbnail off}

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat