
Qëllimi i aktivitetit është promovimi i vlerave dhe standarteve evropiane për një pjesëmarrje më të gjerë të qytetarëve në përmirësimin e mjedisit dhe cilësisë së ajrit për një jetë më të shëndetshme.
Aktiviteti realizohet në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër, Drejtorinë Rajonale të Arsimit, ku të gjithë pjesëmarrësit do të bëjnë një maratonë me biçikletat e tyre personale.
Gjithashtu, në këtë aktivitet të Qendrës së Informimit të Bashkimit Europian, Shkodër, edhe Këshilli Studentor i Universitetit të Shkodrës (K.S.U.SH) fton të gjithë studentët dhe të rinjtë që të marrin pjesë, duke treguar model qytetar europian. Mjaft e rëndësishme është që të ekspozojmë edhe vlerat tradicionale të qytetit tonë, Shkodrës, e cila të ecurit me biçikletë e ka një praktikë dhe mënyrë të njohur jetese. Kështu, dëshirojmë që në këtë organizim nga EUIC Shkodër edhe ne studentët dhe rinia shkodrane të japim kontributet tona me pjesëmarrjen tonë.
Itinerari
Nisja në orën 17:30 nga Sheshi Parrucë përballë Union Bank, duke vazhduar në drejtim të rrugëve 13 Dhjetori (rruga e Bashkisë) dhe 28 Nëntori (rruga e Kafes së Madhe), sheshi Nënë Tereza (rreth-rrotullimi Piace), kthim në drejtim të rrugës Vilson (rruga e Poliklinikës), kthim djathtas te sheshi 2 Prilli (pa cekur hapësirën përballë Hotel Evropës), kthim majtas për në rrugën Studenti (përballë Rektoratit dhe Bibliotekës së qytetit), kthim përsëri majtas për në sheshin Parrucë, aty ku ishte edhe nisja.
Jeni të ftuar të bëheni pjesë e këtij manifestimi me biçikletën tuaj, duke kontribuar të gjithë së bashku në promovimin e vlerave të kujdesit për ambjentin dhe shëndetin.