Qytetarët vendosin për Presidentin

Komisioni për amendamentimin e ndryshimeve në Kushtetutë, bëri publike sot draft-amendamentet kushtetuese për zgjedhje e presidentit të Kosovës.

Arsim Bajrami, kryetar i këtij Komisioni, ka thënë se kandidati për president të ardhshëm të Kosovës duhet të ketë jetuar për 5 vite në Kosovë dhe se duhet ta pezullojë postin publik që në momentin e kandidimit. Ndërkohë, në momentin e zgjedhjes së presidentit, ai nuk do të ketë të drejtë të jetë as anëtar i ndonjë subjekti politik.

Kandidat për president mund të jetë secili qytetar i Kosovës i cili mbledh 15 mijë nënshkrime të qytetarëve. Qytetarët e Kosovës kanë të drejtë ta kandidojnë dikë për president, por edhe subjektet politike mund të kandidojnë të preferuarin e tyre nëse ai arrin t’i sigurojë 15 mijë nënshkrimet e kërkuara.

Zgjedhja e presidentit mund të bëhet në raundin e parë të votimit, nëse kandidati fiton 51 për qind apo më shumë të votave. Në të kundërtën, në raundin e dytë shkojnë dy kandidatët më të votuar.

Mandati i presidentit do të jetë 5 vjeçar.

Presidentin i Kosovës mund të shkarkohet vetëm nga Gjykata Kushtetuese e jo nga Kuvendi, pasi ai zgjidhet me votat e qytetarëve e jo të deputetëve. Nëse presidenti shkel ligjin, deputetët e Kuvendit të Kosovës mund të iniciojnë shkarkimin e presidentit. Shkarkimi mund të iniciohet nëse gjatë votimit të dyfishtë këtë e kërkojnë 1/3 deputetëve. Kërkesa e tyre do të përcillet te Gjykata Kushtetuese, e cila pastaj merr vendimin për shkarkimin eventual.

Presidenti i Kosovës duhet të ketë vetëm një nënshtetësi. Përfaqësuesja e AKR-së në Komision, Suzana Novobërdali, ka kërkuar që kjo çështje të rishikohet, ndërsa Ardian Gjini, nga AAK, ka kërkuar që të sqarohen kompetencat në mënyrë që mos të ketë më përplasje të kompetencave mes kryeministrit dhe presidentit.

Këto janë vetëm amendamentime, ndërkohë që të tjerat priten të shtohen pas debatit me qytetarë. Debatet do të fillojnë më 4 tetor dhe do të përfundojnë me 4 nëntor të këtij viti. /Telegrafi/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat