
Për momentin, procesin edukativo- arsimor e bojkotojnë edhe nxënësit maqedonas të të dy fshatrave, duke paralajmëruar se bojkotin do ta vazhdojnë deri në zgjidhjen e kërkesave të tyre. Lidhur me këtë problem të papritur dhe kërkesave joracionale të maqedonasve, biseduam me të ngarkuarin për arsimin në Komunën e Dollnenit, Myzafer Islami, i cili sqaroi se në të dy rastet nuk është bërë kurfarë shkelje ligjore apo diskriminim të dikujt. "Në shkollën e Peshtalovës, kurrë nuk ka pasur të punësuar, sikur edhe pastrues nga radhët e myslimanëve maqedonas apo shqiptarë. Pastruesi ishte nga fshati Sarandinovë, kështu që ky u transferua në shkollën e Ropotovës, ngase shkolla e Peshtalovës është shkollë periferike e shkollës 'Gjorçe Petrov' të fshatit Ropotov, e në vend të tij u pranua në nga fshati Peshtalovë", thotë islami.
Sa i përket rastit me arsimtaren shqiptare, Islami thotë se ajo është e diplomuar në gjuhën maqedonase, duke qenë studente me notë mesatare prej 9.50. "Kjo i irritoi tej mase maqedonasit, të cilët shprehen me fjalë ofenduese në baza fetare e etnike, duke kërkuar që në vend të shqiptares, fëmijëve të tyre gjuhën amtare t'ua ligjërojë një maqedonas i krishterë dhe jo maqedonas mysliman. Dikush kërkon që të acarohen marrëdhëniet dhe të shkaktojë mosdurim ndërfetar dhe ndëretnik. Për këtë unë e kam informuar edhe Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës", shprehet Islami. Me deklaratë identike shprehet edhe kryetari i Komunës së Dollnenit, Abdulla Bajramovski.
"Nuk kam gabuar as në njërin e as në tjetrin rast. Ish pastruesit të shkollës së Peshtalovës, që ishte nga fshati Sarandinovë, me transferimin ia shkurtova mundimet rreth udhëtimit, ngase vendin e punës e ka shumë më afër, kurse me një rokadë të këtillë, erdhi koha që pas plotë 70 vitesh, të punësohet një banorë i këtij fshati. Ndërgjegjen e kam të pastër. Rasti me arsimtaren shqiptare ndodhi krejt ndryshe. Arsimtarja e mëparshme maqedonase ishte e punësuar me kontratë në vepër përmes një agjencie për punësim. U ndërpre financimi nga ana e agjencisë, skadoi edhe kontrata. Reagimit të qytetarëve maqedonas iu përgjigja me argumentin se në shkollën nëntëvjeçare të fshatit Debreshtë, edhe pse mbi tetëdhjetë për qind e nxënësve janë shqiptarë e myslimanë, procesin edukativo-arsimor e zhvillojnë arsimtarë maqedonas. Nëse kërkoni shkollë etnikisht dhe në baza fetare të pastër, atëherë do të duhet t'i përjashtojmë nga punë arsimtarët e Debreshtit. Këtë punë e kemi kryer në marrëveshje edhe me drejtoreshën Vera Petkoska, ndaj së cilës protesuesit derdhin gjithë vrerin e urejtjes ndërfetare e ndëretnike. Në të dyja rastet nuk është bërë kurfarë shkeljeje ligjore apo diskriminim, siç kanë ata gjatë punësimeve të kuadrove të tyre, duke i anashkaluar kuadrot nga radhët e shqiptarëve dhe muslimanëve tjerë", shprehet kryetari i Komunës Bajramoski.
"Edhe maqedonasit e kanë të qartë se nuk janë në të drejtë, por kjo është vetëm derdhje mllefi për rastin e kishës, kundër ndërtimit të së cilës nuk jemi, por të ndërtohet në vend të tyre, siç e ndërtuam ne xhaminë në pronën e vakëfit. Unë nuk do të lëshojë pe nga qëndrimet para sulmeve të prindërve të politizuar dhe të stërmbushur me energji negative, me urrejtje", përfundon ai. (Q.H./KOHA)