KMSH vendos: Xhami e re në qendër të Tiranës

Kryesia e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë është mbledhur sot, në një mbledhje të posaçme, ku ka marrë vendimin, që xhamia e re të ndërtohet në sheshin e Namazgjasë, tokë kjo e trashëguar brez pas brezi si vend për të falur namaz.

Projekti i ndërtimit të kësaj xhamie daton që më 1993, ku u vendos edhe guri themeltar në prani edhe të kryetarit të atëhershëm të Bashkisë Tiranë dhe pas zvarritjeve dhe burokracive, ka arritur sot në zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi për mijëra besimtarë kryeqytetas.

“Truallit të Namazgjasë i është marrë një sipërfaqe e konsiderueshme nga zgjerimi i rrugëve të Unazës dhe asaj “George Bush”, e cila mbeti pa u kompensuar nga Bashkia. Në kompensim të kësaj sipërfaqeje Këshilli i Ministrave me dt. 06.04.2011, i ka dhënë Komunitetit Mysliman të Shqipërisë një sipërfaqe prej 2570.5 metrash katrorë, duke e çuar sipërfaqen e përgjithshme në rreth 5.300 metra katrorë”, njofton kryesie e KMSH-së.

“Sipas këtij vendimi të qeverisë, sipërfaqja prej 2570.5 m², e ndodhur në zonën kadastrale 8150, me numër pasurie 1/82, pjesë e pronës së listuar me nr. 592, me sipërfaqe të përgjithshme 6739 m2, në listën e miratuar me vendimin "Për miratimin e listës së pjesshme të pronave të paluajtshme shtetërore, në Bashkinë Tiranë, të qarkut të Tiranës", pronë shtetërore, sipas planit të rilevimit, që i bashkëlidhet këtij vendimi, kalon në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Drejtësisë, me qëllim ndjekjen e procedurave ligjore që nevojiten për ndërtimin e xhamisë "Namazgjaja", për Komunitetin Mysliman Shqiptar. Menjëherë pas këtij vendimi, ndalohet tjetërsimi apo dhënia në përdorim e pronës së përcaktuar për qëllime të tjera, të ndryshme nga ndërtimi i xhamisë "Namazgjaja", e Tiranës, për Komunitetin Mysliman Shqiptar", thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave.

Kryesia e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, ka dhënë sot zyrtarisht startin për ndjekjen me hapa të shpejtë të të gjitha procedurave për ndërtimin e xhamisë së Namazgjasë, si një kompleks multifunksional, ku do të përfshijë krahas xhamisë një Qendër Kultutore, bibliotekë, salla konferencash, etj. /albeu.com/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat