OKB fillon konsultimet për kërkesën palestineze

Këshilli i Sigurimit i KB-së sot fillon konsultime për kërkesën historike të Administratës palestineze, Palestina të bëhet anëtare e plotfuqishme e Organizatës Botërore, por votimi pritet madje pas disa javëve.

Që të aprovohet kërkesa është e nevojshme mbështetja e nëntë prej 15 vendeve anëtare, por SHBA-ja u kanos me veto, duke pohuar se shteti palestinez mund të krijohet vetëm përmes negociatave me Izraelin.

Presidenti palestinez Mahmud Abas të premten kërkoi nga KS-ja ta njohë shtetin e Palestinës me kufijtë para luftës së vitit 1967, kur Izraeli e pushtoi Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor me Jerusalemin Lindor. Izraeli dhe SHBA-ja e hedhin poshtë këtë hap unilateral dhe kërkojnë kthim në tryezën negociuese.

Apel për negociata dërgoi edhe katërshja e ndërmjetësuesve paqesor të Lindjes së Afërt, në të cilën janë SHBA-ja, KB-ja, Rusia dhe BE-ja. Ajo dha kumtesë në të cilën bëhet thirrje që negociatat e reja të fillojnë në afat prej një muaji dhe marrëveshja finale të arrihet deri në fund të vitit të ardhshëm.

Abas paralajmëroi se pala palestineze nuk do ta pranojë këtë, pasi që katërshja e Lindjes së Afërt nuk përmend për ndërprerjen e ndërtimit në lagjet hebraike në territorin e okupuar, që është kërkesa kryesore e palestinezëve, me kusht kufijtë para luftës së vitit 1967 të jenë bazë e negociatave.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu në fjalimin e tij në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të KB-së theksoi se thelb i konfliktit nuk janë lagjet, por refuzimi palestinez që Izraeli të njihet si shtet hebraik.

Momentalisht gjashtë shtete anëtare të KB-së e mbështesin kërkesën e Administratës palestineze, shtatë nuk e kanë shprehur pozitën e tyre, ndërsa Kolumbia do të rri e përmbajtur./mia/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat