
Këto komente Kuçi i bëri pas ceremonisë së licencimit të 87 ndërmjetësve të parë të Kosovës, me ç’rast ka theksuar se institucionet e Kosovës do të punojnë intensivisht për të arritur mirëkuptimin qytetar në veri, por durimi do të ketë fund.
“Ne do të punojmë me intensitet të plotë që të kemi mirëkuptimin qytetar atje, për qytetarët tanë serbë, por gjithsesi dua ta them një fjali, durimit tonë do t’i vijë fundi edhe në këtë drejtim”, ka thënë Kuçi.
Sa i përket raundit të ri të dialogut dhe insistimit serb për biseda politike, Kuçi ka thënë se janë të përcaktuara temat për të cilat në asnjë mënyrë nuk mund të bisedohet, përderisa në këtë mes hyn edhe çështja e doganave.
“Temat tanimë janë të përcaktuara që do të diskutohen, po ashtu janë të përcaktuara temat që nuk mund të diskutohen asnjëherë, dhe pikat doganore janë çështje që i takojnë sovranitetit tonë dhe rregullimit të brendshëm juridik të Kosovës”, ka thënë Kuçi.
Pavarësisht faktit që marrëveshjet e arritura zbatohen vetëm nga pala e Kosovës, e jo edhe nga ajo e Serbisë, Kuçi nuk sheh asgjë të keqe të vazhdohet me dialogun.
Ai ka thënë se dialogu nuk i bën keq askujt, meqenëse është koha e demokracisë dhe e dialogut, por gjithnjë ky dialog, sipas tij, do të jetë me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës./botasot/