
Policia e Kosovës ka ndërmarrë këtë operacion me dyshimin e bazuar se persona të dyshuar kanë kryer veprën penale Krime Kibernetike (kompjuterike) që sanksionohet me ligjin për parandalimin dhe luftimin e krimit kibernetikë – ligji nr. 03/1-166 neni 4 veprimet e pa autorizuara, neni 10 interceptimi pa autorizim dhe neni 11 transfer i pa autorizuar.
“Po të njëjtit dyshohet se kanë kryer veprën penale Shmangie nga tatimi neni 249 par. 1 i KPK-së dhe veprën penale Mashtrim nga neni 261 par. 1”, thuhet në një njoftim të PK-së.
Gjatë këtij operacioni, të zhvilluar në rajonet Prishtinë, Gjilan, Ferizaj, Prizren, Pejë e Mitrovicë, policia ka kontrolluar 35 lokacione, me ç’rast edhe ka arrestuar 17 persona të dyshuar.
Të dyshuarit, sipas policisë, janë: Leonard T., 1992, Gazmend M., 1976, Agron S.,1978, Kadri S., 1979, Agim R., 1970, Burim Q., 1966, Bajram H., 1972, Besnik G., 1987, Bashkim S., 1979, Florin B., 1973, Arbnor G., 1990, Milot R., 1987, Misin B., 1978, Kadri G., 1986, Ylli Zeka, 1973, Bajram K., 1987 dhe Ideal M., 1978.
Në këtë operacion, policia gjithashtu ka konfiskuar edhe aparatura të ndryshme elektronike në cilësi të provave materiale, si: 28 shtëpiza të kompjuterëve, 2 kompjuterë llap-top, 84 DREAM BOX, 13 Resiverë (marrës të sinjalit televiziv), 10 telefona celularë, si dhe listën e klientëve e materiale të ndryshme që mund të përdoren si dëshmi.
“Në bazë të procedurës preliminare hetimore dyshohet se personat e dyshuar kanë arritur që përmes serverëve të veçantë të bëjnë shpërndarjen e kanaleve televizive tek klientë në mënyrë të pa autorizuar duke përfituar nga ky veprim i kundërligjshëm dhe duke dëmtuar kompanitë e licencuara për një gjë të tillë si dhe buxhetin e Republikës së Kosovës”, thotë policia.
Ndërkaq, personave të arrestuar u është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë.
Vlen të ceket se vetëm gjatë kësaj jave nga shtylla e hetimeve të Policisë së Kosovës, në kuadër të angazhimeve të zyrtarëve policorë nga departamentet e ndryshme në luftë kundër kriminalitetit, janë arrestuar 52 persona të dyshuar për vepra të ndryshme penale. /zëri/