Turqia dënon Izraelin për miratimin e ndërtimit të 1.100 banesave të reja

 

Turqia dënoi ashpër vendimin e qeverisë së Izraelit, që aprovon ndërtimin e banesave të reja në Jerusalemin Lindor.

Në deklaratën e posaçme të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë lidhur me këtë temë, theksohet se Tel-Avivi zyrtar dënohet me forcë për miratimin e vendimit, që i hapë rrugë ndërtimit të 1.100 banesave të reja në Gilo, një vendbanim i kolonëve izraelitë në Jerusalemin Lindor.

Duke tërhequr vëmendjen se aktualisht po përjetohet një periudhë, ku shoqëria ndërkombëtare po bën përpjekje intensive për t'i gjetur një zgjidhje të qëndrueshme problemit palestinez, deklarata e MPJ-së turke vijon me këto fjalë: "Fakti që Izraeli po fillon një aktivitet të ri ndërtimor në territoret e pushtuara palestineze, për më tepër në një periudhë të tillë, ngjall dyshime serioze lidhur me qëllimin e vërtetë dhe sinqeritetin e Tel-Avivit, si dhe u shkakton dëme të mëdha përpjekjeve të bashkësisë ndërkombëtare. Aktivitetet ndërtimore të Izraelit përbëjnë një shkelje fare haptazi të së drejtës ndërkombëtare dhe janë tërësisht të papranueshme."

Në këtë deklaratë theksohet se Izraeli, duke shpërfillur të gjitha reagimet dhe paralajmërimet ndërkombëtare, po vazhdon të vërë dorë mbi territoret palestineze nëpërmjet vendbanimeve të jashtëligjshme, gjë kjo që tregon edhe një herë se sa i drejtë dhe në kohë është aplikimi i palës palestineze pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara për t'u njohur si shtet i pavarur.

Komunikata e MPJ-së turke përfundon kështu: "Në këtë kuadër, ftojmë të gjithë shoqërinë ndërkombëtare të mbështesë në mënyrën më të fuqishme të mundshme aplikimin palestinez për njohje pranë OKB-së, pra aspiratën e popullit palestinez për një shtet të pavarur me kryeqytet Jerusalemin Lindor dhe që përfshin Bregun Perëndimor e Rripin Gazës."/TRT/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat