Erdogan në Tetovë: Ju jeni nipërit dhe vëllezërit tanë

Kryeministri turk, Rexhep Taip Erdogan theksoi në Tetovë para një mase të tubuar se ndjehet shumë i lumtur për pritjen madhështore në Tetovë, për herë të dytë pas 11 viteve.

"Ne nuk mund të ju harrojmë juve dhe se ju jeni nipërit dhe vëllezërit tanë. Gëzimi juaj është gëzimi jonë, dhe shqetësimi juaj është shqetësimi ynë. Kam një lutje deri tek ju, që të jeni të bashkuar dhe nuk është mirë të keni ndasi. Në xhami nuk ka ndarje, ajo është e të gjithve. Unë nuk e dua turkun se është turk, maqedonasin se është maqedonas apo shqiptarin se është shqiptar, por i dua të gjithë njerëzit që janë krijuar nga një Zot", theksoi Erdogan, pas faljes së xhumasë në Xhaminë e Larme në Tetovë.

Ai ka shpjeguar se 11 vite më parë ka qenë në Tetovë, që pas daljes së tij nga burgu dhe se nga ajo periudhë ai ka pasur përparime në karrierën e tij politike me formimin e partisë së tij.

Pas kësaj vizite në Tetovë, Erdogan ka qëndruar në komunën e Vrapçishtit të dominuar nga turqit si dhe në komunën e Gostivarit, ku para Shtëpisë së Kulturës ka pasur një fjalim para qytetarëve të tubuar.

"Në vitin 2002 e fituam pushtetin dhe ju porosis se në vitin 2023 kur do të shënohen 100 vjet nga formimi i Republikës së Turqisë ne do të jemi në dhjetëshin e parë të vendeve më të zhvilluara ekonomike në botë. Ne juve asnjëherë nuk mund t'ju harrojmë për shkak se mes juve ka nipër të Osmanlinjve. Ne kemi vëllezër tanë edhe në Bosnjë, edhe në Prishtinë dhe Prizren edhe në Shkup, Manastir, Ohër, Dibër, Tetovë", tha kryeministri turk.

Ai theksoi se bisedimet e djeshme me kreun shtetëror të Maqedonië, me kryeministrin Nikolla Gruevskin, me presidentin Gjorge Ivanov dhe të tjerët kanë kaluar në një atmosferë dhe dialog miqësor.

Ai  bashkë me një numër të madh të ministrave, deputetëve dhe kryetarëve të komunave, si dhe ish kampionin e reprezentacionit futbollistik turk Hakan Shukur dhe kreyebashkiakun e Stambollit Kadir Topbash, në mënyrë solemne e lëshuan në përdorim ndërtesën pranuese të Myftinisë së Tetovës të BFI-së.

Kryeministri Erdogan qëndrimin dyditor në Maqedoni do ta rrumbullaksojë me vizitën në Ohër. (INA)


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat