Një grup i serbëve të rebeluar rreth orës 15.30 kanë ardhur me një buldozer deri te barrikada e vendosur në cepin verior të urës mbi lumen Ibër të Mitrovicës, dhe kanë ngritur nivelin e kësaj barrikade me zhavorr.
Ndërkaq, KFOR-i ka hapur të shtunën në ora 10.00 pikën kufitare në Jarinje për qarkullim të automjeteve, por një gjë e tillë është e pamundur të bëhet për shkak të barrikadave që kanë ngritur serbët e rebeluar në rrugën që çon drejt kësaj pike kufitare.
Në përgjithësi, situata në veri vazhdon të jetë e qetë, por e tensionuar.
Pas heqjes së një barrikade nga ana e KFOR-it në afërsi të vendkalimit kufitar në Jarinje, nata e kaluar në këtë pjesë të vendit tonë ka kaluar e qetë dhe pa incidente, ndërkohë që serbët e rebeluar vazhdojnë të qëndrojnë pranë barrikadave tjera të vendosura me qëllim të pengimit të qarkullimit të automjeteve të KFOR-it.
Serbët e rebeluar kanë rivendosur barrikadat në veri, në shenjë kundërshtimi ndaj dërgimit të doganierëve dhe policëve kufitar të Kosovës në pikat kufitare 1 dhe 31 në veri, më 16 shtator. Ata të martën e kaluar kanë sulmuar me gurë dhe me granata KFOR-in, me ç’rast janë plagosur katër ushtarë.
Pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak për një kohë të gjatë kanë qenë jashtë kontrollit të Prishtinës zyrtare, dhe në këto dy pika është zhvilluar kontrabanda dhe krimi i organizuar. /Kosovapress/