
Trupi i pajetë i Agim Zogajt është sjellë nga Gjermania rreth orës 10 të mëngjesit të së shtunës, ndërkohë që vëllai i tij, Afrim Zogaj, ka thënë gjëra që deri më sot nuk ishin të njohura për opinionin, raporton “Express”.
Ai në asnjë mënyrë nuk mund të bindet se vëllai i tij ka bërë vetëvrasje. Edhe përkundër se i kishte në duar dokumentet e lëshuara nga mjekësia ligjore.
“Nuk jam duke i besua autopsisë. Vëllai im nuk ka asnjë shenjë që dëshmon në ndonjë krim. Veç e di se ai ka vdekë, thotë Afrimi, derisa nuk i mbante lotët e pikëllimit.
Por, sipas Afrimit, edhe nëse vëllai i tij e ka vrarë veten, siç thuhet në raportin e policisë, mendon se ka qenë i shtyrë për ta bërë këtë.
“Nuk i besoj autopsisë që i është bërë vëllait tim. Ai ka pasur arsye të forta për të bërë një gjë të tillë, jam i bindur se ka qenë nën presionin e ndokujt për të marrë këtë hap”.
Sipas tij, që nga muaji maj i këtij viti, Agim Zogaj, i njohur si “Dëshmitari X”, ka qenë duke banuar në Duisburg të Gjermanisë, në banesën e tij.
“Ai ka qenë i pambrojtur. Ai në banesën time ka ardhur në muajin maj. Nuk kam ditur asgjë për Agimin deri një moment kur ai ka filluar të rrëfehet”.
Afrimi ka sqaruar për “Express” se vëllai i tij e kishte në plan që para se të ftohej si dëshmitar në rastin “Kleçka”, të dalë para mediave dhe të sqarojë gjithçka. Por, një gjë të tillë, sipas Afrimit, nuk e kishte lejuar EUELX-i. Sipas tij, Agimi ka lënë si testament një letër shumë të gjatë ku ka treguar fije për pse se çfarë ka ndodhur në tërë këtë proces, por nuk ka dashur ta bëjë publike për media.
“Letrën e ka policia dhe gjykata në Gjermani si dhe ne në familje. Ajo do të bëhet publike dhe do të sqarohet gjithçka”, thotë Afrimi për “Express”.
“Veç diçka dua të sqaroj, që askush nuk e ka ditë për vëllanë tim. Përveç ‘Dëshmitari X’, Agimi ka qenë edhe komandant ‘Murrizi’ që shpesh është përmendur”.
Pavarësisht të gjitha fjalëve që fliten rreth çështjes tashmë të mbyllur për familjen Zogaj, Afrimi thotë se e di mirë se çfarë fshihet pas vdekjes së mistershme të vëllait. “Janë tre faktorë që unë nuk dua t’i përmendi. Por, kurdoherë e vërteta do të dalë”./kohamk/