
Njohësit e çështjeve ekonomike thonë se qeveria e Kosovës duhet të bllokojë mallrat nga Serbia, derisa ajo të mos e njohë pavarësinë e Kosovës.
Vazhdon deficiti i madh tregtar i Kosovës në raport me Serbinë. Marrëveshja për njohjen e vulave doganore ndërmjet këtyre dy shteteve, është duke zbatuar tashmë, përderisa në fillim autoritetet serbe nuk lejonin mallrat nga Kosova të hynin në tregun e tyre, duke u kërkuar eksportuesve kosovarë dokumente të strukturave serbe në Ranillug, kështu thotë zëdhënësi i doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci.
Vlera e eksporteve arrin vetëm në rreth 100 mijë euro sqaron Stavileci, duke theksuar se në strukturën e eksportit kryesisht dominojnë perimet, çimento e letra për riciklim, kurse në strukturën e importit dominojnë mallrat e industrisë ndërtimore, por edhe asaj të ushqimit.
Njohësit e çështjeve ekonomike thonë se qeveria në Prishtinë është dashur të sillet konform asaj të Beogradit. Profesori i Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, Musa Limani thotë se në këtë situatë duhet të veprohet në dy mënyra.
“Ne nuk duhet të lejojmë të hyjnë mallra të Serbisë në Kosovë. Ne duhet t’ia bëjmë bllokadë ekonomike derisa Serbia të mos e pranojë pavarësinë e plotë të Kosovës. Kjo për mua është parim i reciprocitetit ose bllokada ekonomike. E dyta ne, kudo që jemi, shqiptarët në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri, duhet të bojkotojmë prodhimet serbe”.
Ndryshe, marrëveshja për njohjen e vulave doganore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është arritur më 2 shtator në Bruksel, kurse zbatimi i saj ka filluar më 16 shtator, prej kur janë hequr edhe masat reciproke ndaj Serbisë./RTK/