Sulmohet automjeti i EULEX-it në veri të Mitrovicës

Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë e ka dënuar ashpër sulmin e natës së kaluar në pjesën veriore të Mitrovicës në automjetin e një pjesëtari të stafit të EULEX-it.

Sipas një kumtese për media të lëshuar nga EULEX-i bëhet e ditur se një mjet shpërthyes u aktivizua nën makinën e një pjesëtari të stafit, e cila ishte parkuar pranë Shtëpisë së BE-së. Fatmirësisht, askush nuk është lënduar, por makina është dëmtuar rëndë, kurse ndërtesa dhe automjete tjera aty pranë janë dëmtuar lehtë.

“Kjo ishte një përpjekje e qartë e frikësimit kundër këtij pjesëtari të stafit dhe misionit në tërësi. Ky është një sulm kriminal kundër Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë dhe si i tillë, është i papranueshëm”, citohet të ketë thënë Xavier de Marnhac.

EULEX njofton se hetimet lidhur me rastin kanë filluar dhe ata që janë përgjegjës do të hetohen dhe të sillen para drejtësisë.

Ndërkaq theksohet se stafi i EULEX-it do të vazhdojë të operojë në të gjithë veriun e Kosovës, në porta, në Gjykatë, në Shtëpinë e BE-së dhe në patrullim.

“Ne do të vazhdojmë të bëjmë këtë në interes të sundimit të ligjit dhe për të mirën e shumicës së qytetarëve qe jetojnë në këtë pjesë dhe që respektojnë ligjin”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e EULEX-it./kosovapress/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat