Bastiset Policia dhe MPB-ja, arrestohen 6 zyrtarë për krim të organizuar

Keqpërdorimet e pohuara, siç ka njoftuar zyra për informim e EULEX-it, kanë të bëjnë me procedurat e prokurimit në Policinë e Kosovës dhe bizneseve që e furnizojnë policinë me armë dhe municione. Për shkak të këtyre keqpërdorimeve të pohuara, buxheti i Policisë së Kosovës është dëmtuar me shuma që mund të arrijnë deri në miliona euro, gjë që e ka bërë Policinë e Kosovës viktimën kryesore të kësaj afere.

“Gjithsej janë bërë gjashtë arrestime, duke përfshirë tre punëtorë biznesi, dy zyrtarë nga administrata e PK-së dhe një punëtor nga Ministria e Punëve të Brendshme. Përveç kësaj, janë bastisur edhe dymbëdhjetë lokacione të ndryshme në Kosovë, duke përfshirë shtëpi private, objekte afariste dhe zyra publike”, thuhet në njoftimin e EULEX-it.
Po ashtu, si pjesë e këtij hetimi, policia gjermane e ka bastisur një objekt afarist dhe një shtëpi private në Gjermani. Hetimi udhëhiqet nga një prokuror i EULEX-it nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK). Bastisjet dhe arrestimet, siç ka njoftuar EULEX-i janë bërë me autorizimin përkatës të gjykatësit të procedurës paraprake të EULEX-it.

Ndërkohë edhe Policia e Kosovës me anë të një komunikate ka konfirmuar bastisjen në objektin e Administratës së Policisë së Kosovës.

“Sot në orët e hershme të mëngjesit, zyrtaret Policor të komponentës Policore të EULEX-it kanë realizuar një kontroll në objektin e Administratës së Policisë së Kosovës. Sipas informacioneve kontrolli i realizuar ka të bëjë në lidhje me një hetim të dyshuar për korrupsion dhe keqpërdorim, mashtrim në procedurat e prokurimit.

Keqpërdorimi i supozuar ka të bëjë me procedurat e prokurimit në Policinë e Kosovës dhe bizneseve që e furnizojnë Policinë me armë dhe municion. Si pjesë të këtyre hetimeve zyrtarët Policorë të komponentës Policore të EULEX-it kanë arrestuar dy punonjës të Policisë së Kosovës. Hetimet lidhur me këtë rast janë udhëhequr nga një prokuror i EULEX-it nga Zyra e Prokurorisë Speciale të Kosovës”, thuhet në komunikatë./ekonomisti/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat