
Akuza e ngarkonte atë për detyrim, lëndim trupor dhe heqje lirie. E gjithë kjo, pasi kosovari, baba i tre fëmijëve, e kishte dënuar me "procedurë të shkurtuar" personin i cili, sipas mendimit të tij, kishte hyrë për të plaçkitur në veturën e tij, në kopshtin e shtëpisë ku banon, në St.Veit an der Glan.
Personi që kishte pasur fatin e hidhur të dërgohej në polici i mbyllur në bagazh, ishte një burrë 26 vjeç, i njohur i kosovarit. Së pari, sipas dëshmisë së dorasit, ai ishte përpjekur që me goditje në fytyrë, ta bindte të riun që të pranonte veprën. Kjo i kishte kushtuar viktimës me një dhëmb të thyer, shkruan orf.at.
Por kur as kjo nuk e bindi, kosovari mori litarin, e lidhi, e futi në bagazh dhe e dërgoi drejt e në stacionin policor në St.Veit.
Me të arritur aty ai u ishte drejtuar policëve: "brenda e kam thyerësin e makinave", dëshmojnë policët kujdestarë. "Ai ishte plotësisht i bindur se e kishte bërë gjënë e duhur", thotë polici.
Avokatja mbrojtëse e kosovarit e kishte arsyetuar këtë sjellje me traumat nga lufta në Kosovë. Ai ka përjetuar atje dhimbje dhe kriminalitet dhe për këtë arsye ka braktisur vendin. Prandaj e ka përjetuar si veprim të papranueshëm që dikush, në Austrinë e sigurt t`ia thyente makinën, në oborrin e tij.
Kjo e ka shtyrë ta bëjë veprimin, që (sipas avokates) në Kosovë nuk është i pazakonshëm".
Për gjykatën mbetet ende e paqartë se kush në të vërtetë ka thyer veturën e 39 vjeçarit./albinfo/