Treni godet veturën, lëndohet familja nga Nabërgjani

Katër anëtarë të familjes Iberdemaj, nga fshati Nabergjan i Pejës, kanë marrë lëndime të rënda trupore si pasojë e goditjes nga treni të veturës së tyre, derisa po kalonte hekurudhën në fshatin Budisalc të Klinës. Ngjarja ka ndodhur sot, rreth orës 9:30 të mëngjesit. Sipas policisë lëndime trupore kanë marrë të gjithë familjarët Iberdemaj, që në momentin e aksidentit ndodheshin në veturë - ngasësi i veturës Idriz Iberdemaj (39), bashkëshortja e tij  Ardita (27) dhe dy fëmijët e tyre Donita 3 vjeç dhe Trajana 3 muajsh. Zëdhënësi i Policisë, Xhevat Ibraj, ka bërë të ditur se të lënduarit janë dërguar në Spitalin Rajonal të Pejës. Raportohet se Ardita dhe vajza e saj Trajana janë në rrezik për jetë, pasi kanë marrë lëndime të rënda trupore. Ato ndodheshin në anën ku treni e ka goditur veturën.

Sipas të dhënave të para të policisë, përplasja ka ndodhur deri sa vetura e tipit “Jetta” ka qenë duke kaluar mbi binarë të trenit dhe në kalim e sipër është goditur nga treni, që barte udhëtare në relacionin Prishtinë-Pejë. “ Në bazë të dhënave mund të vlerësojmë se aksidenti është shkaktuar si pasojë e pakujdesisë së ngasësit të automjetit”, ka thënë Xhevat Ibraj, zëdhënës rajonal i Policisë së Kosovës në Pejë.
Treni i kësaj linje e kishte tërhequr zvarrë mbi 55 metra veturën, në të cilën ndodheshin katër anëtarët e kësaj familjeje.

Dy orë pas aksidentit në vendin e ngjarjes kanë mbërri edhe përfaqësuesit e Agjencisë së Hekurudhave të Kosovës, të cilët nuk kanë pranuar të flasin për media. Por, një punëtor, që ndodhej në ketë tren, ka treguar se shpejtësia e trenit kur e ka goditur veturën ka qenë rreth 45 km në ora, ani pse lejohet 60 km. Shoferi i trenit është ndaluar nga policia. Vetura është tërhequr nga hekurudha pas tre orësh nga aksidenti.

Vendi ku ka ndodhur ky aksident, nuk ka farë laure, që do të pengonte lëvizjen e automjeteve kur kalon treni. Por, shenjat paralajmëruese ekzistojnë, ndonëse  të vjetra.Sipas ligjit në fuqi përgjegjës për shenjat paralajmëruese është komuna, ndërsa për laurat Agjencia Hekurudhore e Kosovës. Një punëtor i Agjencisë së Hekurudhave të Kosovës, ka thënë se nga Klina deri në Pejë ekzistojnë 48 vendkalime, në të cilat mungojnë laurat./koha/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat