Shtatëkatëshja “mbulon” Xhaminë e Çarshisë

Xhamia e Çarshisë shumë shpejt mund të mbesë nën hijen e një objekti gjigant që po i ndërtohet përbri. Një ndërtesë e lartë, së paku shtatë- tetëkatëshe, në bashkëpronësi private – komunale , do të mbijë pranë Xhamisë, në qendër të qytetit. Edhe pse Xhamia është e shpallur monument kulture dhe ligji nuk e lejon një ndërtim të tillë në afërsi, pronari i ndërtesës banesore- tregtare i ka rregulluar letrat dhe së shpejti, thotë, do të nisë themelet.

Instituti për mbrojtjen e monumenteve të Kosovës ka shprehur shqetësim pasi sipas Rregullores për mbrojtjen e monumenteve, distanca me një ndërtesë të tillë duhet të jetë së paku 50-100 metra.

Drejtori i këtij instituti, Agim Gërguri, tha se këtu nuk lejohen kurrsesi ndërtime të larta.

“Ligji për trashëgiminë kulturore i ka rregullat e veta, që nuk lejon këso ndërtimesh në afërsi të objektit të mbrojtur pasi i bën konkurrencë dhe i zë pamjen.

Mund të jetë deri në dy kate mbi objektin e xhamisë por jo më tepër “, tha drejtori Gërguri. Ai thotë se edhe më herët, para se ai të vijë në këtë post, kishte pasur shkelje të tilla nga kompetentët të cilët jo një herë kanë dhënë leje ndërtimi me kate të larta pranë objekteve të mbrojtura.

Instituti, thotë ai, nuk do të lejojë këso shkeljesh, dhe këto ditë do t’i bëjë ftesë zyrtare drejtoreshës së Urbanizmit për të biseduar, lidhur me atë se nuk mund të jepet leje ndërtimi pa pëlqimin nga Instituti për mbrojtjen e monumenteve të Kosovës.

“Deri tash, Drejtoria e Urbanizmit nuk ka marrë pëlqimin tonë për ndërtimet në afërsi të Xhamisë së Çarshisë” e për këtë është e obliguar, tha Gërguri.

Zëdhënësi komunal Muhamet Gashi tha se leja e ndërtimit për këtë objekt banesoro- tregtar ende nuk është dhënë.

“Lejet ende nuk janë dhënë. Këto ndërtime hyjnë në kuadër të planit rregullues të lagjes “Dodona”, tha Gashi, duke shtuar më tutje se, në bazë të planit, parashihen ndërtime në lartësi p+7 ose p+8.

Gashi po ashtu tha se plani rregullues është miratuar, ndërsa zyrtarë nga Instituti, nëse kanë pasur diçka për të ndryshuar, është dashur ta bëjnë më herët.

Njëri nga pronarët e objektit në afërsi të xhamisë, Basri Ismaili, tha se ende nuk ka marrë lejen e ndërtimit.

“Na i kanë dhënë kushtet urbanistike, ndërsa lejen ende për shkak se kryetari nuk gjendet në Kosovë... por kjo shumë shpejt do të ndodhë”, tha ai. Kushtet urbanistike, sipas tij, janë se sa duhet të jetë objekti larg rrugës, sa për qind e pronës duhet të jetë e gjelbëruar, etj. Ai tha të mos jetë i njoftuar se nuk lejohet ndërtimi i objektit me kate të larta në afërsi të objekteve të mbrojtura./Zeri/

 


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat