Pas 24 vjetësh në burg shpallet i pafajshëm

Një banor i Teksasit në SHBA, i cili kishte kaluar 24 vjet prapa grilave për vrasje të bashkëshortes, është shpallur të mërkurën i pafajshëm, pasi analizat e ADN-së konfirmuan se një tjetër person kishte kryer krimin.

Majkëll Morton në vitin 1987 ishte dënuar me burg të përjetshëm për vrasjen e gruas së tij Kristina, në shtetin federal amerikan Teksas, transmetojnë mediat amerikane.

Gjykata e Apelit e Teksasit sot vendosi që të anulojë aktgjykimin dhe dënimin e shpallur kundër Morton.

“Kemi konfirmuar se ai (Morton) duhet të lirohet në bazë të pohimeve të tij se është i pafajshëm”, njoftoi gjykata, duke shtuar se testet e ADN-së kanë treguar se vrasësi është një burrë tjetër, emri i të cilit nuk është përmendur në dokumentet gjyqësore.

Morton është liruar nga burgu më 4 tetor sipas marrëveshjes në mes të avokatëve të tij dhe prokurorit, në mënyrë që vendimin final të gjykatës ta presë në liri. Tash ai mund të kërkojë dëmshpërblim nga Teksasi prej 80.000 dollarë për çdo vit të kaluar në burg, ose gjithsej rreth 2 milionë dollarë.

Deri te kthesa e papritur erdhi në gusht të këtij viti, kur me testimin e ri të mostrave të ADN-së në një shall me gjak, i gjetur jo larg nga vendi i krimit, ishte gjetur ADN-ja e Kristinës, e përzier me ADN-në e autorit të vrasjes, i cili nuk është burri i saj, thuhet në dokumentin gjyqësor.

Morton, i cili tash ka 57 vjet, ka komentuar vendimin me humor: “Faleminderit nga Zoti që nuk jam dënuar me vdekje”./kosovapress/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat