Çka e pyeti EULEX-i Limajn?

Marrja në pyetje e deputetit të PDK-së dhe ish-ministrit të Transportit, Fatmir Limaj, rreth dyshimeve për korrupsion sa ishte ministër, nuk ka rezultuar ta ketë sjellë ndonjë fakt a provë që e bëjnë Limajn të dyshuar në këtë rast. Kjo së paku bazuar në pyetjet që i janë bërë Limajt, në katër herët sa ai është ftuar të përgjigjet në Prokurorinë Speciale të Kosovës.

Në disa pjesë të dëshmisë që i ka siguruar “Zëri”, thuhet se Limaj është marrë në pyetje rreth mënyrës së financimit të mbrojtjes sa ka qenë në Hagë, për xhirollogaritë e tij, për deklarimin e pasurisë dhe shumë pak për ministrinë, për të cilën kanë filluar hetimet.

Limaj është pyetur edhe rreth një revoleje pa leje, e cila i është gjetur në shtëpinë e tij, në ditën kur i është bastisur ajo. “Gjatë tri ditëve të marrjes në pyetje, prokurori nuk ka parashtruar asnjë pyetje për çështjen për të cilën edhe zyrtarisht janë hapur hetimet, por pyetjet kanë qenë për periudhën sa Limaj ka qenë në Hagë më 2003-2005, për mënyrën e financimit të mbrojtjes sa ka qenë në Hagë, për deklarimin e pasurisë familjare si dhe për xhirollogaritë e tij”, thotë një burim brenda Prokurorisë.

Ky burim thotë se përgjigjet e Limajt kanë qenë në përputhje me hetimet që i ka bërë policia dhe ai ka thënë se nuk ka asnjë konto tjetër veç kontove në ProCredit Bank dhe Raiffesien Bank.

“Deklarimin e pasurisë që e ka bërë Limaj plotësisht përputhet me zyrën e kadastrës në Prishtinë dhe në Malishevë, gjë që është vërtetuar nga hetimet e bëra”, thotë ky burim.

Rreth pyetjes që i është bërë për fondin e mbrojtjes së tij dhe ndihmave gjatë kohës sa ka qenë në Hagë, Limaj ka thënë se qytetarët e Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë dhe diasporës kanë dhënë mjete për familjen Limaj dhe mbrojtjen e tij.

Vetëm në ditën e katërt ai është marrë në pyetje për kohën sa ka qenë ministër i Transportit, periudhë kjo për të cilën edhe janë hapur hetimet. Në këtë ditë Limaj ka qëndruar në prokurori rreth 7 orë e gjysmë.

Rreth kësaj çështjeje, Limaj është pyetur për organizimin e ministrisë, mënyrën e funksionimit, ndarjen dhe menaxhimin e buxhetit. Limaj ka dhënë përgjigje duke sqaruar për organizimin, funksionimin, kompetencat e ministrit, sekretarit dhe departamenteve.

Faktin se ndaj Limajt nuk është gjetur asgjë e ka përforcuar edhe avokati i tij Tahir Rrecaj ditën kur klienti i tij e ka përfunduar marrjen në pyetje.

Avokati Rrecaj ka thënë se nuk ka asnjë fakt deri më tash që mund të vërtetojë se Fatmir Limaj ka bërë shkelje të ligjit gjatë mandatit të tij si ministër. Madje ai nuk ka mundur të konfirmojë se a do të ngrihet një aktakuzë apo do të pushojnë hetimet ndaj klientit të tij dhe a do të merret më në pyetje për këtë rast. “Nuk kemi ndonjë konfirmim se do të mbahet ndonjë seancë e ardhshme.

Mbetet që prokurori të vlerësojë se a ka nevojë që edhe më tutje ta ftojë Limajn që ta marrë në pyetje, pasi të bëjë analizimin e të gjitha provave që ka grumbulluar deri më tash”, ka thënë mbrojtja e Limajt, avokati Rrecaj.

“Nuk mund të jap asnjë lloj komenti lidhur me vlerësimin e provave për shkak se është faza e hetimeve dhe prokurori do të bëjë vlerësimin dhe nëse e sheh të arsyeshme se duhet të mbledhë edhe provat tjera, sigurisht do të bëjë kërkesë te Gjykata Supreme për vazhdimin e hetimeve edhe për një periudhë të fundit gjashtëmujore. Nëse jo atëherë ose do ta pushojë hetimin ose do ta ngrisë aktakuzën”, ka thënë më tej avokati.

Limaj në prokurori është paraqitur me 20 e 21 shtator dhe me 10 e 12 tetor. Më 28 prill të vitit të kaluar njësitë speciale të policisë së EULEX-it patën kryer bastisje në Ministrinë e Transportit dhe Postelekomunikacionit. Në të njëjtën kohë, kishte filluar edhe bastisja në shtëpinë dhe disa objekte të tjera, pronë familjare të ish-ministrit Fatmir Limaj, me ç’rast EULEX-i pati konfiskuar dokumente dhe serverë të kompjuterëve.

Lidhur me hetimet për keqpërdorimet e rreth 80 milionë eurove në Ministrinë e Transportit, Prokuroria e EULEX-it po i vazhdon hetimet ndaj tre personave, Fatmir Limajt, ish-shefit të zyrës së prokurimit dhe një ish-zyrtari tjetër të Ministrisë së Transportit, që përkujdesej për mirëmbajtjen e kompjuterëve dhe pajisjeve tjera përcjellëse.

Ndaj Limajt është ngritur dhe konfirmuar një aktakuzë e cila e ngarkon atë për krime lufte, i njohur ndryshe si rasti “Kleçka”. Për këtë rast Limaj po mbahet në arrest shtëpiak./zeri/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat