
Në fjalën e tij përshëndetëse, Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, pasi ka përgëzuar autorin për punën e bërë , tha: “Botimi i këtij fjalori përpos që pasuron fushën e leksikografisë në gjuhën tonë me fjalorë dygjuhësor, s’ka dyshim se do të krijoj rrethana dhe kushte të reja për studiuesit, shkencëtarët e publicistët tanë që në mënyrë meritore t’u qasen studimeve të albanologjisë, arabologjisë, islamologjisë, historisë e kulturës tek ne”.
Myftiu Tërnava botimin e fjalorit arabisht- shqip e ka cilësuar si një vepër kapitale që i shtohet leksikografisë dhe kulturës shqiptare nga kjo fushë, për këtë myftiu tha: “Botimi i këtij Fjalori pason botimin e veprave kapitale të islamologjisë e orientalistikës, siç ishte në vitet e 80-të të shekulli të shkuar, “Përkthimi i Kuranit në gjuhën shqipe”, pastaj projekti për përkthimin e “Kompletit të Buhariut”, shqipërimi i “Kamusul A’lamit” të Sami Frashërit, e shumë veprave të tjera të kësaj fushe që u bënë pronë e lexuesit shqiptar, ani pse mendoj që fjalori do të duhej të ishte para këtyre veprave që përmenda.
Po ashtu myftiu potencoi “Botimi i këtij fjalori vjen në një moment kur marrëdhëniet e Kosovës dhe shqiptarëve me Botën arabe janë shpeshtuar në shumë fusha, kur masa e shqiptarëve që njohin arabishten, ose që janë të interesuar për përvetësimin e saj është rritur ndjeshëm. Kosova tanimë ka vënë edhe kontaktet e para diplomatike me disa shtete të Botës Arabe dhe s’ka dyshim se botimi i këtij fjalori merr rëndësi edhe më të madhe dhe më të rëndësishme për zhvillimin e marrëdhënieve të shqiptarëve me botën arabe dhe anasjelltas”.
Ndërsa akad. Feti Mehdiu ndër të tjerat në referatin e tij vlerësues për botimin e “Fjalorit arabisht- shqip”, tha:” Tani më opinioni shqiptar ka në duar fjalorin Arabisht – shqip, fjalorin e një gjuhe botërore e cila është gjuhë e një libri të shenjt – Kur ‘anit fisnik, i cili nuk ka kufi në botë dhe që tek shqiptarët është i pranishëm, sistematikisht, prej shekullit 14. Ka në duar fjalorin e njërës ndër gjuhët më fleksibile në familjen e gjuhëve botërore. Kjo meritë i takon së pari autorit, por nga krenaria për këtë vepër nuk i mohohet Orientalistikës shqiptare dhe Universitetit të Prishtinës, ku është përgatitur e është rritur autori i fjalorit, Dr. Isa Memishi”.
Për Bardh Rugovën, shef i Departamentit të Gjuhës Shqipe në Fakultetin e Filologjisë, fjalori është një ndërtim i fuqishëm që tregon seriozitet të autorit./bislame/