
Myftiu Tërnava në takim që pati në selinë e Kryesisë së BIK e falënderoi zv. ministrin Saudit për kontributin dhe mbështetjen e Mbretërisë së Arabisë Saudite, për Kosovën. “Populli i Kosovës është mirënjohës për kontributin e Mbretërisë tuaj për Kosovën, si gjatë luftës ashtu edhe pas saj, gjithashtu, ju falënderojmë për njohjen e Kosovës së pavarur dhe për përkrahjen dhe mbështetjen për Kosovën në forumet dhe organizmat ndërkombëtarë”-tha Myftiu Tërnava. Myftiu Tërnava e njohu zëvendësministrin Abdul Aziz Al Amar edhe me historikun, organizim, arritjet dhe sfidat e Bashkësisë Islame dhe të institucioneve të saja. “Ne si bashkësi gjatë luftës kemi qenë të dëmtuar rëndë, diku rreth 50% të objekteve tona qenë shkatërruar, mirëpo pas lufte falë organizimit të mirë të Bashkësisë Islame, xhematit dhe ndihmës së donatorëve nga vendet arabe, e ku prin mbretëria e Arabisë Saudite, kemi arritur që t’i sanojmë dëmet e luftës”- tha ndër të tjerat myftiu Tërnava. Në takim myftiu foli edhe për bashkëpunimin e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe të Ministrisë së Çështjeve Fetare të Arabisë Saudite, përse potencoi përkrahjen që pret Bashkësia Islame e Kosovës nga Ministria saudite e Çështjeve Fetare në krijimin e vakëfeve të reja.
Zëvendësministri i Arabisë Saudite për Çështje Fetare, Abdul Aziz Al- Amar tha se vendi i tij përcjell me vëmendje zhvillimet në Kosovës dhe për Kosovën. “Ne si shtet jemi të përkushtuar që të ndihmojmë e përkrahim Kosovën në forumet dhe organizmat ndërkombëtarë” tha zëvendësministri saudit. Ndërsa, për bashkëpunimin me Bashkësinë Islame dhe shtetin e Kosovës ai tha se do shohim rrugët më të mira për të bashkëpunuar dhe për të investuar në krijimin e vakëfeve të reja, pa lënë anash edhe fushat tjera.
I shoqëruar nga Myftiu Tërnava, delegacioni i lart saudit vizitoj edhe Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë, ku u pritën nga dekani, prof. dr. Qazim Qazimi, pastaj vizituan Medresenë si dhe këshillin e Bashkësisë Islame në Prishtinë. Në të gjitha takimet dhe vizitat e delegacionit saudit qe edhe ambasadori jorezident i Arabisë Saudite në Kosovë, Abdullah al - Abual – Kerim./bislame/