Forcat e KFOR-it kanë filluar të enjten rreth orës 05:30 të mëngjesit operacionin e heqjes së barrikadave në drejtim të pikës kufitare Bërnjak.
Sipas këtyre burimeve, ushtarët e KFOR-it i kanë larguar kamionët e vendosur në rrugë nga ana e ektremistëve serbë, duke i hedhur ato në ara.
Edhe pse menjëherë pasi kanë kuptuar për fillimin e aksionit në Zupç janë tubuar rreth 100 serbë, nuk ka pasur eskalim të situatës dhe deri tani nuk është shënuar ndonjë incident.
Burimet më tej kanë shtuar se KFOR-i është duke apeluar tek popullata e tubuar që të shpërndahen dhe mos të qëndrojnë në rrugë për të penguar aksionin, në të kundërtën ka paralajmëruar se do të ndërhyjë me forcë.
**********
KFOR-i nis largimin e barrikadave edhe nga Jarinja?
Situata në veri në këto momente kur po raportojmë vazhdon të jetë e qetë, por me potencial të tensionimit në çdo moment.
Burime të Kosovapress-it kanë bërë të ditur se rreth mesditës ushtarët e KFOR-it kanë tërhequr telat gjemborë mes rrugës Jagnenicë-Çabër, duke krijuar në këtë mënyrë një pikëkontroll të tyre në këtë vend.
Sipas këtyre burimeve, rreth 50 qytetarë serbë, të cilët në një moment ishin përleshur me KFOR-in kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Zubin Potok.
Ndërkaq, kryetari paralel i komunës së Zubin Potokut, Sllavisha Ristiq ka bërë thirje që popullata të qëndrojë e qetë dhe e bashkuar, si dhe të mos bie pre e provokimeve të ndryshme.
“Dy autobusë përplot me qytetarë kanë arritur nga veriu i Mitrovicës në përkrahje të banorëve të Kollashinit, duke përfshirë kryesisht gra dhe fëmijë”, kanë thënë burimet.
Burimet më tej kanë shtuar se në komunën e Leposaviqit vërehet numër i shtuar i ushtarëve të KFOR-it, të cilë po transportohen përmes helikopterëve, ndërkohë që në kampin ushtarak “Nothing Hill”, është e gatshme e gjithë makineria dhe automjetet e blinduara të dedikuara për largimin e barrikadave, që nënkupton se një aksion i largimit të barrikadave nga ana e KFOR-it mund të fillojë çdo moment edhe nga kjo anë.
“Qytetarët po detyrohen nga krerët e strukturave paralele të dalin domosdoshmërisht në numër sa më të madh nëpër barrikada afër Leposaviqit, duke përfshirë këtu edhe të gjithë punëtorët e institucioneve të ndryshme në veri”, bëjnë të ditur burimet./Kosovapress/
{youtube width="630" height="450"}7LBLbcSAuhQ{/youtube}
{youtube width="630" height="450"}tcbVItUiE18{/youtube}
{youtube width="630" height="450"}AASoR36lBf8{/youtube}