Kosova i gëzohet vdekjes së Gaddafit

Zyra e presidentes Jahjaga, përshëndet përfundimin e konflikteve në Libi dhe përfundimin e operacioneve të forcave të NATO-s në ndihmë forcave demokratike dhe popullit të Libisë për heqjen e sistemit të diktaturës mbi dyzet vjeçare.

“Eliminimi e diktatorit libian Moammar el Gaddafit është fitore e popullit të Libisë mbi forcat e së keqes, është përfundim i një kapitulli tragjik dhe të rëndë për popullin dhe hapje e perspektivës së re për përparimin dhe për zhvillimin e demokracisë në Libi”, thuhet në reagimin e Presidentes Jahjaga.

Lajmin për vdekjen e diktatorit libian, Gaddafi, e ka përshëndetur edhe kryeministri Hashim Thaçi. Ai tha se kjo është një fitore për paqen në botë.

“Pas 42 vjetëve të tiranisë, vdekja e Muammar Gaddafi-t do t’i mundësojë qytetarëve të këtij vendi të ndërtojnë një të ardhme demokratike. Në këtë ditë të rëndësishme, duhet të kujtohen të gjitha viktimat e këtij regjimi. Kjo është edhe një fitore e paqes në botë, që i jep fund një konflikti të vështirë ushtarak”, thuhet në reagimin e Kryeministrit Thaçi.

Më tej ai shton se në këtë fillim të një epoke të re, “urojmë që ëndrrat e shtypura me vite të popullit libian, të shndërrohen në punë për më shumë drejtësi, liri dhe rindërtim të vendit të tyre”.

Përshëndetjeve për lajmin mbi vdekjen e diktatorit Gaddafi i është bashkëngjitur edhe zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili, përmes një statusi në Facebook, ka thënë kjo është një fitore për të gjithë.

“Arrestimi i Muhamer Gadafit është një fitore për të gjithë. Por sidomos për popullin e Libisë”, ka vlerësuar Pacolli.

Pacolli, më 12 tetor të vitit të kaluar, me një delegacion prej rreth 40 personash nga Kosova, vizitoi liderin tashmë të ndjerë, Muammar Gaddafi.

Ndryshe, diktatori Gaddafi ka vdekur të enjten pas plagëve të marra gjatë kapjes së tij pranë qytetit të tij të lindjes, Sirte. Ai, sipas raportimeve të medieve botërore, u vra nga rebelët libianë të Këshillit Kombëtar Kalimtar./zeri/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat