
Zija ka pllakosur familjen Kajtazi në Dumnicë të Podujevës. Kjo familje mëngjesin e së shtunës përjetoi një tragjedi të rëndë familjare. Djali i madh i familjes, Xhaferi 40-vjeçar u vra në oborr të shtëpisë. Por më e rënda është se mbi të shtiu me pushkë vëllai më i ri se ai, Rrahimi.
Nëna e dy djemve, njëri i vrarë, e tjetri që gjendet në burg, sillet rreth vendit ku iu vra djali për të cilin thotë se ka qenë i sëmurë mental.
Qamile Kajtazi tregon se djali i vdekur ishte i sëmurë psikik. Kjo grua tregon se e gjithë familja ka qenë objekt i dhunës nga ai. Ajo tregon se Rrahimi ka qenë i detyruar të gjuajë në të, sepse ia ka sulmuar fëmijët dhe gruan.
“Krejt familja jena kanë n’zor prej tina. Na ka rrehë krejtve, me babë e nanë e me krejt. U kanë shumë agresiv”, tregon duke qajtur Qamilja, e cila tashmë e vajton Rrahimin që është në burg.
Ajo tregon se Xhaferi gjithnjë ka ushtruar dhunë ndaj familjes, por nuk kanë pasur çka t’i bëjnë.
“Nuk ka të ngjehme sa herë e kena lajmëru në polici, po as ata s’kanë pasë çka t’i bajnë. E kanë çu te mjeku, ia kanë dhënë një injeksion, si e ka lshu injeksioni, prapë ka vazhdu e njëjta gjendje e tij”, tregon Qamilja.
Për këtë që ka ndodhur në shtëpi të shtunën, kjo grua thotë se ka qenë e shkruar kështu të vijë fundi.
“Djali Rrahimi ka hjekë shumë prej tina. Sa herë ia ka rrehë fëminë ai edhe këtë që e ka ba, e ka prej zori. Qashtu koka shkru me na ndodhë ”, thotë Qamile Kajtazi.
Edhe motrat e Rrahimit dhe Xhaferit të ndjerë tregojnë se vëllau i tyre ka qenë shumë keq prej shëndetit. Njëra nga to tregon se jo vetëm shtëpia por edhe fqinjët kanë vuajtur për shkak të tij.
“Ai ka qenë shumë agresiv me të gjithë”, tregon njëra nga motrat e martuara që nuk dëshiron t’i dalë emri në gazetë.
Sipas saj, Xhaferin e njohin e gjithë komuna e Podujevës se ka qenë i rrezikshëm.
Nëna Qamilja tregon për Express se sa herë ka pas probleme me djalin, ka kërkuar që ta marrë ndonjë institucion në rehabilitim.
“Kam lypë me çu naj ven se ai nuk ka ba për shpi, por s’e kanë marrë. Tash e mori në qafë këtë tjetrin, që është i shëndoshë”, thotë ajo.
Rrahim Kajtazi, është djali më i vogël i Sejdi dhe Qamile Kajtazit. Ky 24-vjeçar është arrestuar nga policia pas vrasjes së të vëllait, ndërkaq familja pret të afërmit që shkojnë për t’iu gjendur pranë.
Expressi ishte pasdite në shtëpinë e Kajtazëve, ku burra dhe gra ishin mbledhur për t’i ngushëlluar. Gjaku ende nuk ishte larë në vendin ku u vra Xhafer Kajtazit. Nëna dhe pesë motrat e Rrahim dhe Xhafer Kajtazit vajtojnë për tragjedinë që u ka ndodhur. Ç’është më e keqja, edhe babai i dy djemve është i sëmurë mental. Njëra nga motrat e Rrahimit kërkon që atë ta lirojnë menjëherë për arsye se këtë vepër e ka bërë në vetëmbrojte dhe policia dhe gjykatat duhet ta kenë parasysh se ka jetuar me të sëmurë dhe ka vuajtur me ta.
“Ai i ka mbrojtë fëmijët e vet”, thotë motra e Rrahim Kajtazit. Ajo tregon se Xhaferi ka qenë ushtar në luftën e Kroacisë dhe që nga ajo kohë, është sëmurë.
Ky person nuk ishte problem vetëm për familjen, por edhe për fqinjët e tyre. Një djalë i cili nuk dëshiron të identifikohet, thotë se Xhaferi gjithnjë ka bërë probleme dhe gjithnjë janë frikësuar prej tij.
“As fëmijët nuk i kemi lënë me dalë vetë pa praninë e ndonjë të rrituri”, thotë fqinji i familjes.
Por Xhafer Kajtazi është i njohur edhe për policinë. Sipas burimeve të gazetës nga policia e Podujevës, Xhaferi më shumë ka ndenjur rrugëve.
“Ka qenë i sëmurë mental dhe herë pas here ka bërë probleme. Por më shumë ka bërë probleme në familje”, thotë ky burim për Express.
I dyshuari ka deklaruar në polici pas arrestimit se viktima ka hyrë me një shkop të rëndë në shtëpi për t’ia sulmuar gruan dhe fëmijët. Sipas deklaratës së tij, ai nuk ka dashur ta vrasë, por vetëm ta plagosë në këmbë, por pasi që është rrëzuar, plumbi e ka goditur edhe në kokë.
Rastin e konfirmon Policia e Kosovës. Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani tha se rreth orës 8:00 të mëngjesit të së shtunës, njësitë policore në Podujevë e kanë marrë një informacion se në fshatin Dumnicë e Poshtme ka të shtëna me armë zjarri.
“Njësitet e Policisë kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes së bashku me mjekun e Qendrës Emergjente në Podujevë dhe në vendngjarje kanë gjetur viktimën, i cili, sipas mjekut kujdestar, ka qenë pa shenja jete”, tha zëdhënësi Kelani.
Sipas tij, në vendngjarje janë gjetur edhe dy gëzhoja të të njëjtit kalibër dhe dy karikatorë me 16 fishekë. ”Kufoma me urdhër të prokurorit është dërguar për obduksion, ndërsa personi i dyshuar është arrestuar pas orës 12 nga njësitet policore”, tha Kelani./express/