KFOR: Liria e lëvizjes të arrihet pa asnjë kusht

KFOR-i bëri sot të qartë se për këtë mision nuk është i pranueshëm asnjë kusht në lidhje me lirinë e lëvizjes.

“Liria e lëvizjes për të gjitha palët nënkupton për organizatat ndërkombëtare, sikurse edhe për gjithë popullin e Kosovës - kjo duhet të arrihet. Liria e lëvizjes vetëm për KFOR-in, për shembull për të furnizuar ose për diçka të tillë, por jo për EULEX-in, nuk është e pranueshme”.

“Komandanti i KFOR-it u ka thënë shumë qartë kryetarëve të komunave në veri të Kosovës, herën e fundit - të shtunën e kaluar - se liria e lëvizjes duhet të arrihet pa asnjë kusht për secilin, në çdo kohë. Kjo është shumë e qartë. Asgjë ndryshe nga kjo nuk është e pranueshme”, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i KFOR-it, Uve Novicki,  i cili rikujtoi se edhe më herët u është bërë e qartë përfaqësuesve të komunave në veri, se liria e lëvizjes nuk mund të kushtëzohet.

Kjo deklaratë vjen pak çaste para se përfaqësuesit e serbëve të komunave veriore të mbajnë një konferencë për gazetarë në lidhje me barrikadat. Këta politikanë, edhe pas disa takimeve qoftë me KFOR-in, qoftë me vetë presidentin serb, Boris Tadiq, nuk kanë pranuar të heqin barrikadat dhe kanë ofruar liri të lëvizjes vetëm për KFOR-in, por jo edhe EULEX-in.

Barrikadat janë vendosur nga serbët si reagim ndaj vendosjes së doganierëve dhe policëve kosovarë në pikat 1 dhe 31 në veri të vendit. Pengesat rrugore u përforcuan pas 16 shtatorit, kur edhe autoritetet ndërkombëtare i dhanë mbështetje Qeverisë së Kosovës për marrjen nën kontroll të Jarinës dhe Bërnjakut.

Novicki bëri të ditur se rruga për në pikën kufitare 31, në Bërnjak, është e kalueshme për trafik dhe se njerëzit mund të hyjnë dhe dalin nga Kosova për në Serbi.

“Situata prej natës së mbrëmshme është e pandryshuar. Ne i kemi larguar bllokadat nga rruga, në portën 31, në pikëkalimin kufitar me Serbinë, dhe bllokadat rrugore - vetëm 600 metra në lindje të portës 31 - janë larguar nga vetë popullata. Situata është kështu në portën 31, trafiku është i mundur në të dyja anët për në Serbi dhe nga Serbia në Kosovë. Kemi nën kontroll portën 31”, tha Uve Novicki.

Por, situatë ende e pandryshuar mbetet në portën kufitare 1 apo në Jarinë. Novicki tha se ka dëgjuar se popullata ka shfaqur gatishmëri që t'i largojë vetë disa pengesa në rrugë, në fshatin Zupç.

“Në Zupç ka ende barrikada, edhe pse kam dëgjuar se disa drunj janë larguar nga barrikada në Zupç nga popullata, por kjo ende nuk është konfirmuar”, tha Novicki. (a.i.)/rel/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat