Hoxhaj mori pjesë në varrimin e Princit të Arabisë Saudite

Në mesin e burrështetasve nga mbarë bota, të martën në Riad të Arabisë Saudite, ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të Princit të Kurorës të Mbretërisë saudite, Sultan bin Abdul Aziz Al Saud.

Në këtë ceremoni, përveç familjes mbretërore saudite dhe udhëheqësve të tjerë më të lartë shtetëror, fetar, akademik e shoqëror të këtij shteti, kanë marrë pjesë edhe personalitete të shquara të politikës botërore, si zëvendëspresidenti i SHBA-ve, Joe Biden, pretendenti i fronit mbretëror të Kurorës britanike, Princi Charles si dhe përfaqësues të lartë nga të gjitha shtetet e botës.

Në këtë ceremoni po ashtu kanë marrë pjesë edhe Sekretari i Ligës Arabe, Nabil Elaraby, sekretari i Organizatës për Kooperim Islamik, Ekmeleddin Ihsanoglu dhe shumë ministra të punëve të jashtëm të shteteve nga mbarë bota.

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka marrë pjesë në ceremoninë qendrore për nder të Princit Sultan bin Abdul Aziz Al Saud, i cili ndërroi jetë me 22 tetor.

Me këtë rast, Ministri Hoxhaj në emër të institucioneve të Kosovës ka përcjell ngushëllimet e popullit të Kosovës për familjen mbretërore saudite me rastin e vdekjes së Princit.

Sultan bin Abdul Aziz Al Saud, ka qenë pretendenti kryesor për të pasuar Mbretin aktual të Arabisë Saudite, Abdullah bin Abdulaziz Al Saud. Ai konsiderohej një ndër figurat qendror të Mbretërisë Saudite, dhe kishte ushtruar funksione të rëndësishme si zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Mbrojtjes dhe Aviacionit.

Gjatë jetës së tij 80 vjeçare, Sultan bin Abdul Aziz Al Saud, ka fituar respektin e burrështetasve nga e mbarë bota, me veprimtarinë dhe virtytet e larta që e karakterizonin.

Mbretëria e Arabisë Saudite e ka njohur Republikën e Kosovës me 20 Prill 2009, ndërsa marrëdhëniet miqësore, në të gjitha segmentet e jetës, mes dy vendeve po thellohen në vazhdimësi. Autoritetet saudite po japin një kontribut të çmuar për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës./kosovapress/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat