
Kreu i Këshillit Kombëtar Serb, Nebojsha Joviq, thotë se 50.000 serbët e Kosovës që jetojnë në zonën në veri të lumit Ibër, duan që ky territor të bëhet pjesë e Serbisë dhe janë të gatshëm të vdesin për këtë kauzë.
Prapa njërës prej 18 barrikadave të ngritura nga ana e serbëve në veri të qytetit të Mitrovicës, Joviq i tha Gazetës JnK se qeveria e udhëhequr nga shqiptarët në Prishtinë, misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR-i dhe misioni i BE-së për sundim të ligjit - EULEX, duhet ta kuptojnë se serbët kurrë nuk do ta pranojnë pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 2008.
"Ata nuk mund të na detyrojë që të jemi pjesë e Kosovës së pavarur. Kjo nuk do të ndodhë", tha ai.
"Ka dy opsione. I pari është që të na lejojnë të jetojmë brenda Serbisë, të ndarë nga Kosova e pavarur. I dyti është që dikush të na dëbojë nga këtu, por e cila më besoni, është e vështirë të arrihet. Deportimi i 50.000 njerëzve duket si një rrezik i madh", shtoi Joviq.
Veriu i Kosovës, e cila kufizohet me Serbinë, ka qenë prej kohësh një zonë e tensionuar. Popullsia e saj, e cila është pothuajse krejtësisht serbe, nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe nuk i beson KFOR-it dhe EULEX-it.
Megjithëse zyrtarisht janë pjesë e Kosovës, katër komunat me shumicë serbe në veri janë de-facto nën kontrollin e Serbisë, e cila i financon të gjitha institucionet kryesore atje.
Komisioneri për Zgjerim i BE, Stefan Fuele, së fundi i ka bërë thirrje Beogradit që të përmirësojë marrëdhëniet e saj me Prishtinën, në mënyrë që të fillojë bisedimet për pranim në BE, duke vënë në dukje se zona në veri të lumit Ibër mbetet pjesë e Kosovës.
Ndërsa, Komisioni Evropian i ka kërkuar Qeverisë në Prishtinë të dalë me një axhendë të plotë për veriun dhe serbët që jetojnë atje.
Joviq tha se Stefan Fuele "nuk do të thotë absolutisht asgjë, në krahasim me Rezolutën 1244. Kjo rezolutë është më e fortë se Stefan Fuele, dhe se kancelarja gjermane [Angela Merkel] dhe shtetarët e tjerë".
Ai po i referohej Rezolutës së Këshillit të Sigurimit, të miratuar në vitin 1999, e cila e vendosi Kosovën nën autoritetin e Kombeve të Bashkuara.
"Çfarë po ndodh në veri është një luftë private e [kryeministrit të Kosovës] Hashim Thaçit", shprehet Joviq. "Kjo nuk është një luftë midis popullit shqiptar dhe atij serb".
Kreu i Këshillit Kombëtar Serb mendon se institucionet multi-etnike nuk mund të funksionojnë në Kosovë. "Askush nuk mund të na detyrojë ta duam njëri-tjetrin," tha ai. "Shqiptarët nuk na duan, as mua nuk më pëlqejnë, por as nuk i urrej”.
"Është fakt se në të kaluarën ne [serbët] u munduam që përmes dhunës dhe luftës t’i arrijmë qëllimet tona, por nuk mundëm. Ky ishte rasti para vitit 1999 dhe në vazhdim. Tani është koha për të biseduar me njëri-tjetrin. Dialogu dhe marrëveshjet duhet të bazohen mbi realitetin [në terren] dhe gatishmërinë e të dy palëve për kompromis", tha Joviq.
Kohët e fundit, tensionet kanë shpërthyer rreth çështjes se kush i kontrollon pikat kufitare Kosovë-Serbi. Nga pavarësia e Kosovës, në vitin 2008, deri në korrik të sivjetmë, dy portat kryesore të kufirit verior ishin të kontrolluara vetëm nga EULEX-i.
Por, më 25 korrik, Qeveria e Kosovës dërgoi policinë speciale në këto dy pika për të zbatuar ndalesën e tregtisë me mallrat që hyjnë në vend nga Serbia.
Serbët e Kosovës atëherë ngritën barrikada në rrugë të ndryshme, duke parandaluar qasjen në portat kufitare Jarinë dhe Bërnjak. KFOR-i ka kërkuar heqjen e barrikadave.
Por, Joviq thotë se serbët do të mbajë barrikada dhe janë të gatshëm për t'i mbrojtur ato me jetën e tyre.
"Nëse duan t’i heqin barrikadat, EULEX-i dhe KFOR-i do të duhet të kalojë mbi neve", tha ai. "Nuk duam të kërcënojmë askënd. Por në momentin që ata marshojnë drejt barrikadave, edhe në qoftë se ata përdorin tanke, ata do të duhet të kalojnë, së pari, mbi".
"Në qoftë se gjendemi në një situatë kërcënuese për jetën, atëherë sigurisht do ta mbrojmë veten me mjete të tjera, por unë shpresoj se kjo nuk do të ndodhë", shtoi ai./gazetajnk/