
Lajmin e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti.
“Janë duke u larguar barrikadat nga vetë banorët. Do të shohim gjatë ditës se si do të zhvillohen ngjarjet dhe do të shohim se a do të ketë nevojë që edhe KFOR-i të intervenojë në largimin e atyre që janë pengesa në rrugë. Por, me rëndësi është që me vetiniciativë, banorët kanë filluar t’i lëvizin disa nga barrikadat”, tha Hoti.
Mbrëmjen e kaluar, përfaqësuesit e ashtuquajtur të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës kanë deklaruar se i kanë ofruar KFOR-it një plan të lëvizjes, me qëllim të furnizimit me ushqim të ushtarëve paqeruajtës, që ndodhen në vendkalimet kufitare Bërnjak dhe Jarinë.
Por, kjo lëvizje, siç është thënë, duhet të bëhet në rrugë të caktuara dhe vetëm gjatë ditës.
Largimin e një barrikade dhe fillimin e lëvizjes në veri të Kosovës në drejtim të vendkalimit kufitar Bërnjak, e konfirmoi edhe zëdhënësi i KFOR-it, Frank Martin.
“Në fshatin Zupç është bërë lirimi i një pjese të rrugës dhe ne kemi filluar të lëvizim këtë mëngjes. Për momentin, KFOR-i ka shfrytëzuar këtë linjë dhe ka filluar lëvizjen në drejtim të vendkalimit kufitar”, deklaroi Martin, për të shtuar se misioni që ai përfaqëson, është në pritje të zhbllokimit të të gjitha rrugëve.
“Ne ende kemi nevojë për lirinë e lëvizjes për të gjithë, që nënkupton për KFOR-in, për EULEX-in... Do të shohim nëse do të ecim përpara në këtë pikë”, tha Martin.
Por, njëri nga përfaqësuesit e serbëve të veriut, Sllavisha Ristiq, tha se KFOR-i duhet ta respektojë vullnetin e banorëve të asaj ane, duke mos keqpërdorur mundësinë e lëvizjes së lirë.
“Shpresojmë që KFOR-i do të respektojë vullnetin tonë të mirë dhe nuk do ta keqpërdorë mundësinë për kalimin e lirë, për t’i furnizuar ushtarët. Banorët do të qëndrojnë këtu dhe do të mbikëqyrin, por nuk do t'i pengojnë ushtarët. Ndërkaq, do të theksoja edhe një herë se EULEX-i nuk mund të kalojë derisa nuk arrihet ndonjë marrëveshje me Beogradin", tha Ristiq.
Rreth veprimtarisë së EULEX-it në veri të Kosovës, të ashtuquajturit përfaqësues të serbëve në veri, në mbledhjen e mbajtur dje, kanë rekomanduar drejtuesit e këtij misioni të Bashkimit Evropian që të bisedojnë me qeverinë dhe institucionet tjera të Serbisë./REL/