
Lëvizja Vetëvendosje e ka akuzuar kryeministrin Hashim Thaçi si fajtorin kryesor për gjendjen e krijuar në veri të Kosovës.
Në debatin për situatën në veri që është duke u zhvilluar në Kuvend, ku në interpelancë është thirrur kryeministri Thaçi, deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka thënë se dështimi në veri që prej vitit 1999 lidhet me emrin e Thaçit.
“Pas përfundimit të luftës, nga Shtabi i Përgjithshëm i UCK-së u dha urdhri për largimin e ushtarëve tanë nga ajo pjesë”, tha Konjufca. Ai citoi deklaratën e ish-luftëtarit të UÇK-së, Bekim Shyti, të dhënë në vitin 2005, se atij i ishte dhënë një urdhër nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së për t’u tërhequr nga veriu.
Konjufca kritikoi kryeministrin edhe për urdhrin për ndërhyrjen e Policisë së Kosovës më 25 korrik, e cila pastaj u tërhoq kkrejtësht nga kjo pjesë.
Kryeministri Hashim Thaçi, në fillim të fjalës së tij, ka thënë se pret që debati i thirrur nga grupi parlamentar i VV-së të jetë shumë i frytshëm, e jo që ai të shfrytëzohet për motive elektorale.
Ai ia ka hedhur fajin administratës ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara – UNMIK, për gjendjen kriminale të krijuar në veri. Sipas tij, administrata e UNMIK-ut në mënyrë direkte, ose indirekte ka ndihmuar strukturat kriminale dhe ilegale në veri që të barrikadohen në atë vend.
Por ai është shprehur i bindur se rendi dhe ligji do të kthehet në veri, kryeministri Thaçi ka thënë se fundi i tyre nuk është i largët, pasi nuk mund të fshihen gjatë as prapa grave dhe fëmijëve, të cilët po i nxjerrin në rrugë, duke u shprehur i bindur se Qeveria e Kosovës din t’i dallojë kriminelët nga qytetarët e ndershëm.
Kryeministri ka lexuar të gjitha projektet që Qeveria e Kosovës ka realizuar në disa lagje dhe fshatra të veriut.
Kurse lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se nuk duhet të bisedohet me Serbinë, pa i vënë kushte asaj.
Ky është plani 10 pikësh me kushte sipas Kurtit: Serbia ta njohë Kosovën; Ta largojë nga Kushtetuta e saj, ku shkruan se Kosova është pjesë e Serbisë; Të kërkojë falje për gjenocidin në Kosovë; T’i dorëzojë të gjithë kriminelët e luftës; T’i kthejë të pagjeturit; Të paguajë për të gjitha dëmet që i ka shkaktuar Kosovës; Të ndalet diskriminimi dhe dhuna ndaj shqiptarëve autoktonë në Luginën e Preshevës; Serbia ta pushojë financimin e strukturave paralele; T’i kthejë depozitat bankare, fondin pensional etj., si dhe t’i kapë kriminelët e luftërave në vitet 90-ta që, sipas Kurtit, sillen të lirë në veri.
Kurti kritikoi Thaçin se në fjalimin e tij para deputetëve nuk tha asgjë, për sikur po i porosit qytetarët të bëhen të painteresuar për politikën, ashtu siç ai është i painteresuar për qytetarët.
“Kur po e dëgjoj Thaçin, derisa nuk po thoshte asgjë, mu forcua bindja se kryeministri fol që qytetarët ta ndërrojnë kanalin televiziv”.
“Natyrisht ne jemi për unitet për të mirën e Kosovës, por jo për ta shitur atë”, tha Kurti, duke iu referuar fjalimit të Thaçit për forcimin e unitetit./gazetajnk/