
“Ne kemi thënë të enjten se do të lëvizim në veri, me qëllim që të riparojmë një urë në Leposaviq. Dhe me sa di unë disa kamionë janë ndaluar. Kjo është e vërtetë”, i tha radios Evropa e Lirë, zëdhënësi i KFOR-it, Uve Novicki.
Ditë më parë, përmes një komunikate për media, KFOR-i bëri të ditur se ura Llozishte në rrugën që çon drejt vijës kufitare në Jarinjë ka nevojë për riparime “urgjente për shkak të dëmtimeve të rënda strukturore”.
KFOR-i ka vlerësuar se lëvizja brenda katër komunave në veri është penguar në mënyrë kritike për shkaqe sigurie, ndërsa njoftoi se nga 7 nëntori KFOR-i do të vazhdojë punimet për të riparuar urën, punime këto që kishin nisur para 16 shtatorit.
“Ne sigurisht se do ta riparojmë urën, herët a vonë, por aktualisht nuk e di, besoj se do të ketë bisedime”, tha Novicki.
Përfaqësues të serbëve lokalë, që po qëndrojnë në barrikadat e vendosura në rrugët që çojnë kah portat kufitare 1 dhe 31, kanë thënë se konvoji i KFOR-it është penguar të kalojë, meqë ka pasur druajtje se me automjetet e rënda, KFOR-i “po përpiqej t’i shembte barrikadat”.
Ndryshe, sipas Novickit, situata në tërësi në komunat veriore, ku tash tre muaj janë ngritur barrikada në përpjekje për të penguar vendosjen e doganierëve dhe policëve kosovarë në kufi, ka qenë e qetë dhe pa incidente edhe gjatë fundjavës së shkuar.
Ai përsëriti thirrjen për liri të lëvizjes pa kushte, për çdokënd në Kosovë.
Novicki po ashtu tha se KFOR-i është në pritje të lëvizjes së Beogradit në lidhje me barrikadat që nga e premtja janë ngritur edhe në territorin serb, si afër pikës 1 ashtu edhe afër asaj 31.(a.i.)/rel/