Përplasen në Kuvend “partnerët e ardhshëm”

Sa të afërt, aq të largët janë dukur në seancën e sotme kryeministri Hashim Thaçi dhe shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ardian Gjini. Ky i fundit ka nisur akuzat në drejtim të Qeverisë, por kryeministri Thaçi nuk ka dashur t’i kundërpërgjigjet në të njëjtën mënyrë, duke thënë se “dëshiron ta kursejë”.

Ardian Gjini ka hedhur “gurë” në drejtim të Qeverisë dhe personalisht ndaj kryeministrit Thaçi, në fjalën e tij në debatin për Raportin e Progresit, por kryeministri Thaçi nuk ka reaguar.

Kjo sjellje e qetë e kryeministrit në raport me AAK-në, vjen në një kohë kur është raportuar se ai ka pasur disa takime me zyrtarë të AAK-së, si një përpjekje për afrim, në mënyrë që nëse jo në këtë mandat, të paktën në mandatin e ardhshëm të ketë një koalicion mes PDK-së dhe AAK-së.

“Të gjithë kanë faj, përveç Qeverisë së Kosovës. Edhe shoqatat e peshkatarëve kanë faj, por Qeveria jo”, ka thënë Gjini, përderisa duke folur për ndërhyrjet politike në drejtësi ka thënë se shokët e kryeministrit janë të dënuar për vepra penale dhe nuk shkojnë ta vuajnë dënimin.

Gjini ka thënë se kjo qeveri nuk mund ta ndryshojë trendin në të cilin ka hyrë Kosova, sepse këta e kanë sjellë këtë trend, këta e kanë ngulfatë sistemin e ndërtimit të shtetit, sepse të njëjtit njerëz i kanë futur njerëzit e tyre nëpër shkolla, nëpër administratë etj, dhe ata iu kanë ndihmuar në manipulimin e zgjedhjeve, të cilat i ka evidentuar Raporti i Progresit.../Kosovapress/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat