Presidentja Atifete Jahjaga derisa po shijonte bukuritë natyrore të Prevallës, ka rrëshqitur aksidentalisht, me ç’rast ka pësuar një prerje në pjesën nën mjekër. Ajo është detyruar të qepë prerjen në Spitalin e Prizrenit, kanë treguar burimet e Gazetës JnK.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila njihet si adhuruese e shëtitjeve në natyrë, këtë të diel ka pësuar një aksident të vogël, derisa po shëtiste në Parkun Nacional “Prevalla”, në afërsi të Prizrenit.
Pasi kishte kaluar një natë, me bashkëshortin e saj, në hotelin “Sharr”, presidentja kishte planifikuar të bëjë dhe një shëtitje në natyrë. Por burimet e Gazetës Jeta në Kosovë kanë treguar se derisa po shijonte bukuritë natyrore të Prevallës, presidentja ka rrëshqitur aksidentalisht, me ç’rast ka pësuar një prerje në pjesën nën mjekër.
Ajo është detyruar të qepë prerjen në Spitalin e Prizrenit. Por, rasti po mbahet i fshehtë.
Zëdhënësi i Presidencës, Arbër Vllahiu, tha se nuk është në dijeni për aksidentin. “Unë nuk e kam këtë informacion”, tha Vllahiu, i kontaktuar nga Gazeta JnK, nëpërmes telefonit.
Pronari i restorantit “Sharri”, Jahir Hasani, ka konfirmuar se presidentja ka qenë mysafir i këtij restoranti, këtë fundjavë. “Presidentja ka qenë këtu në vizitë private. Ajo të dielën është larguar për Prizren”, tha Hasani. “Këtu nuk ka pasur kurrfarë problemi, rrugës nuk e di”, tha Hasani, i pyetur nëse presidentja ka pësuar ndonjë lëndim.
Gazeta JnK ka kontaktuar edhe me spitalin e Prizrenit. Drejtori i këtij spitali, Myzafer Kalenderi, tha se “asnjë pacient me emrin Atifete Jahjaga nuk është evidentuar të dielën në këtë repart”.
Por, Kalenderi tha se nuk i kujtohen emrat e mjekëve që kanë kujdestaruar në Spitalin e Prizrenit, të dielën, e cila ka qëlluar Dita e Bajramit.
Presidentja Atifete Jahjaga njihet si person që i ka merak shëtitë. Një javë më parë, ajo është parë në Gërmi, ku ka shtrënguar duart me qytetarë të rastit. Kurse një vizitë e saj “private”, sivjet në maj, në Maqedoni, kishte nxitur reagime, pasi në një kafeteri në Tetovë kishte takuar edhe udhëheqës të lartë të BDI-së.
Zyra e Presidencës kishte sqaruar se vizita ishte për arsye private, dhe se Jahjaga ka shëtitur në qytetin e Tetovës dhe në Shkup, ka pirë kafe dhe është përshëndetur me qytetarë./gazetajnk/