25 kriminelë sundojnë veriun

Duke folur për gjendjen në veriun e Kosovës, ish-kryeprokurori i misionit të EULEX-it Johannes Van Vreeswijk, tha se sipas hetimeve të tij dhe informacioneve të zbulimit, “në thelb të çdo gjëje janë përfitimet e paligjshme sepse ka shumë përfitime financiare (nga kontrabanda) dhe nëse kjo eliminohet edhe orkestruesit dhe ata që do të humbin përfitimet financiare do të kenë probleme”.

Sipas mendimit të tij, kombinimi i varfërisë në veri të Kosovës, ku papunësia është 75 për qind, mungesës së ligjit dhe qartësisë për autoritetin, ka bërë që të jetë shumë e vështirë të zgjidhet një situatë e tillë, transmeton “Zëri i Amerikës”.

“Acarimi vjen nga ana serbe por në masë të madhe unë mendoj se janë 25 kriminelë në veri që shfrytëzojnë situatën politike, nën pretekstin e mosnjohjes së Kosovës, që duan të mbrojnë këtë territor ku mungon sundimi i ligjit”, tha Vreeswijk.

Por Vreeswijk, nuk e shikon mosndërhyrjen vetëm si çështje vullneti. Ai thotë se KFOR-i si forcë ushtarake nuk ka mandat ta bëjë një gjë të tillë, ndërsa përsa i përket EULEX-it, ai thotë se nuk ka qasje për shkak të mungesës së juridiksionit dhe pretendimeve territoriale. Por mbi të gjitha, “problemi kryesor është i një natyre politike. Përsa kohë që jo të gjitha vendet e Evropës nuk e njohin Kosovën ky problem do të vazhdojë. Nëse të gjitha vendet e njohin atëherë nuk ka më paqartësi”.

Në fakt për shkak të mos njohjes nga pesë vende, u arrit në përfundimin që EULEX ta shihte veriun me status neutral. Vreeswijk thotë se ky është shkaku i defekteve në mision dhe situatës së paqartë. Sipas tij, në këto kushte e vetmja rrugë që duhet ndjekur është që qeveria e Kosovës, të ushtrojë të drejtën e saj kushtetuese, aq më tepër pasi siç thotë ai as që bëhet më fjalë për ndarje. Por përfaqësuesit politikë të serbëve në veri të Kosovës premtojnë se banorët serbë nuk do të tërhiqen.

Ndërkaq Dorin Karvahal, gazetare e “International Herald Tribune” dhe “New York Times”, e vendosur në Paris, në një artikull të kohëve të fundit, argumenton se janë përpjekjet për ruajtjen e kësaj kontrabande shumë fitimprurëse që kanë vënë në lëvizje banorët serbë në veri të Kosovës dhe se Veselinoviq ështe kreu i këtij rrjeti që i ka organizuar barrikadat.

“Biznesi i tij i kontrabandës sigurisht do të rrezikohej nëse Kosova do të ishte në gjendje të ushtronte masa të reja kontrolli, duke e detyruar që të paguante taksa, gjë që ai nuk e ka bërë që në vitin 2008, sepse Kombet e Bashkuara dhe NATO ja nuk kishin inspektuar nga afër kamionët që kalonin sepse po përpiqeshin të shmangnin tensionet”.

Sipas gazetares Karvahal njerëzit kanë frikë të flasin kundër rrjetit. Në artikullin e saj, ajo shkruan se Veselinoviq ka edhe partnerin e tij shqiptar - më pak të fuqishëm, Mentor Beqiri. Dhe lidhja me politikën është e pashmangshme.

“Ka akuza për aleanca të forta mes zotit Veselinoviq dhe anëtarëve të partive lokale, figurave politike lokale në Veri të Mitrovicës. Ata janë të lidhur me njëri tjetrin. Njëra palë jep para për tjetrën për financim partish, sipas akuzave”.

Por ajo shton se zyrtarët më të lartë të Beogradit po ndryshojnë qëndrim pasi duan të vazhdojnë me procesin e kandidimit në Bashkimin Evropian. Karvahal thotë se zgjidhja varet nga vullneti i shumë palëve për bashkëpunim, por sipas saj ndërkombëtarët i shmangen ndërhyrjes sepse nuk duan që të krijohet një situatë shpërthyese.

Por sipas mendimit të zonjës Karvahal kjo gjendje nuk do të zgjasë përgjithmonë dhe mendon se edhe Beogradi e kupton këtë dhe po pret momentin e duhur për të bërë një lëvizje. /QIK/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat